Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, ka pritur sot ambasadorin e Italisë në Kosovë, Antonello De Riu.
Latifi e ka falënderuar ambasadorin për mbështetjen e dhënë nga qeveria dhe populli Italian për shëndetësinë në Kosovë, njofton Klan Kosova.
Ai e ka njoftuar ambasadorin me situatën në Kosovë sa i përket COVID-19 dhe hapat që kanë ndërmarrë MSH dhe institucionet për t’u ballafaquar me secilin skenar të mundshëm të ecurisë së COVID-19, “duke përcjellë dhe analizuar më vëmendje indikatorët shëndetësorë”.
Në takim është biseduar për bashkëpunimin midis Kosovës e Italisë në kuadër të projektit Italian për mbështetjen e sistemit shëndetësor të Kosovës, me fokus në lëmin e kardiokirurgjisë.
Ministri dhe ambasadori kanë theksuar nevojën që në kuadër të projektit, profesionistët shëndetësorë të Kosovës të rrisin aftësimet profesionale me mbështetjen e ekspertëve italianë të kësaj lëmie, me qëllim të ofrimit të shërbimeve sa më gjithëpërfshirëse të kësaj fushe edhe në Kosovë.
Të dy theksuan përkushtimin për thellimin e bashkëpunimit të mëtejmë në shëndetësi dhe përkrahjen për sektorin shëndetësor të Kosovës.
Në takim ishte edhe zëvendësambasadori italian, Ugo Ferrero.