Kryediplomati rus thotë se Azerbajxhani dhe Armenia janë pajtuar për një armëpushim dhe bisedime “thelbësore” të paqes, që kanë për qëllim t’i japin fund luftimeve në Nagorno Karabak, që janë më të ashprat në këtë rajon në vitet e fundit.
Njoftimi i ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov erdhi më 10 tetor, pas 12 orësh bisedime në Moskë ndërmjet tij dhe homologëve të tij nga Azerbajxhani dhe Armenia.
Armëpushimi do të hyjë në fuqi në mesnatën e 10 tetorit, tha Lavrov, dhe sipas tij, do të lejohet shkëmbimi i të burgosurve dhe i trupave të vrarë në luftimet që kanë nisur dy javë më parë në dhe përreth Nagorno Karabakut.
Qindra ushtarë dhe një numër i civilëve besohet se janë vrarë gjatë luftimeve, transmeton REL.
Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq do të ndërmjetësojë bisedimet, tha Lavrov. Palët kanë thënë se bisedimet do të jenë “bisedime thelbësore që kanë për qëllim arritjen e një zgjidhjeje paqësore sa më shpejt që të jetë e mundur”.
Deri më tani, as Armenia dhe as Azerbajxhani nuk kanë konfirmuar këtë plan.
Më herët, ministrat e Jashtëm nisën bisedimet e tyre në Moskë dhe presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev tha se Armenisë po i jepej “shansi i fundit” për zgjidhje paqësore të konfliktit.
“Konflikti tani po zgjidhet me mjete ushtarake dhe mjetet politike do të vijnë më pas”, paralajmëroi ai, duke shtuar se për pothuajse tri dekada, bisedimet e ndërmjetësuara nga ndërkombëtarët “nuk kanë dhënë aspak përparim dhe ne nuk na është kthyer asnjë pëllëmbë e tokës sonë të pushtuar”.
Rajoni i Nagorno Karabakut ndërkombëtarisht njihet si pjesë e Azerbajxhanit. Por, ky rajon ka qenë nën kontrollin e forcave etnike armene, që mbështeten nga Jerevani, që prej 1994, kur ishte arritur një marrëveshje armëpushimi, që i dha fund një konflikti të separatistëve.
Që atëherë, Nagorno Karabaku është banuar dhe qeverisur nga armenët etnikë, duke detyruar qindra-mijëra azerbajxhanas të largohen nga rajoni dhe të shpërngulen.
Zaur Shiriyev, një analist nga Grupi Ndërkombëtar i krizave, tha se ka “një mbështetje të dukshme të mbështetjes” nga popullsia azerbajxhanase për rikthimin në tavolinën e bisedimeve dhe se në to do të mund të zgjidhej çështja e kthimit të të zhvendosurve në shtëpitë e tyre në rajonin e Nagorno Karabakut.