Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Europian për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, pas një takimi me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, komentoi dhe pjesëmarrjen e diplomatit rus, Sergei Lavrov në samitin e OSBE në Shkup.
Borrell u shpreh se gjatë këtij samiti Lavrov duhet ta dëgjojë edhe njëherë nga të gjithë vendet pjesëmarrëse njëzëri se përse është dënuar dhe sanksionuar Rusia nga bashkësia ndërkombëtare.
“Vendimi juaj për të lejuar pjesëmarrjen e Lavrov është në një linjë me synimin tonë të përbashkët: të mbajmë të gjallë multilateralizmin. Lavrov ka nevojë të dëgjojë sërish nga të gjithë përse Rusia po dënohet dhe izolohet”, tha Borrell.
“Do të jetë një rast i mirë për të dëgjuar drejtpërdrejtë nga pjesëmarrësit në takim, përse Rusia po dënohet dhe izolohet. Dhe më pas kur të rikthehet në Moskë do t’i raportojë mjeshtrit të Kremlimit se Bashkimi Europian dhe OSBE mbeten të bashkuara në dënimin e sjelljes agresive dhe të paligjshme të Rusisë”, shtoi ai.