Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov tha se “së shpejti” do të merret vendimi nëse Rusia do ta falë një shtetas norvegjez, i cili është i dënuar për spiunazh me 14 vjet burgim.
Frode Berg është “dënuar për spiunazh dhe ka kërkuar që të falet. Rasti i tij po vlerësohet dhe ne do të kemi një përgjigje për të së shpejti”, tha Lavrov në një konferencë për media në Kirkenes të Norvegjisë, pas takimit me homologen e tij norvegjeze, Ine Eriksen Soereide.
Nëse Berg falet, Lavrov tha se ai do të lejohet të kthehet në Norvegji.
Lavrov ka vizituar këtë qytet norvegjez për të ndihmuar në shënimin e 75-vjetorit të çlirimit nga nazistët gjatë Luftës së Dytë Botërore. Qyteti Kirkenes gjendet 15 kilometra larg nga kufiri me Rusinë.
Frode Berg, 63-vjeç, kishte qenë inspektor në kufirin Norvegji-Rusi. Ai ishte gjetur fajtor për akuzat për spiunazh dhe ishte dënuar më 16 prill të këtij viti.
Berge ishte arrestuar në Moskë në dhjetor të vitit 2017 dhe ishte akuzuar se po kërkonte informacione të klasifikuara në lidhje me nëndetëset bërthamore ruse.
Ai është deklaruar i pafajshëm mbi akuzat se ka spiunuar për Norvegjinë.