Laws: Viktimat kanë mbështetur UÇK-në, disa kanë qenë anëtarë, s’bëhet fjalë për denigrim të ushtrisë

Prishtinë | 10 Shk 2026 | 12:35 | Nga Ekonomia Online

Mbrojtësi i viktimave, Simon Laws gjatë deklaratës së tij përfundimtare në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, ka thënë se ky proces nuk është zhvlerësim i UÇK-së dhe nuk bëhet fjalë për denigrimin e saj.

Megjithatë, ai shtoi se shumë prej viktimave e kanë mbështetur UÇK-në dhe disa kanë qenë anëtarë të saj, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Shumë prej viktimave e kanë mbështetur UÇK-në. Një numër prej tyre kanë qenë anëtarë të UÇK-së. Këtu nuk bëhet fjalë për të denigruar këtë institucion”, tha mbrojtësi i viktimave.

Përveç kësaj, Laws dekaroi se këtu bëhet fjalë për sjelljen e disa anëtarëve dhe pasojat që kanë pasur sjelljet e tyre në jetën e viktimave.

“Po bëhet fjalë për sjelljen e disa anëtarëve të tij dhe pasojat në jetën e atyre që unë i përfaqësoj”, tha ai.

“Mund të thuhet që ishte e pashmangshme që lufta e UÇK-së për pavarësi do të çonte në humbje jetësh njerëzore. Kjo është pasojë e konfliktit dhe asgjë që mund të them unë nuk përbën gjykim lidhur me të drejtat ose të padrejtat e kësaj lufte dhe nuk është zhvlerësim i UÇK-së në përgjithësi”, shtoi Laws.

Përveç kësaj, ai tha se ishte e pashmangshme që të humbnin jetë njerëzish, por ai pyet se a ishte e pashmangshme që kjo luftë të çonte në mizori, humbje të lirisë së shumë personave, e të tjera.

“Ishte e pashmangshme që do të humbnin jetë njerëzish. Po a ishte e pashmangshme po ashtu që kjo luftë të çonte në mizori dhe vdekjet për të cilat ky trup gjykues ka dëgjuar tashmë ?! A ishte e pashmangshme që një luftë çlirimtare të çonte në humbjen e lirisë për një numër kaq të madh njerëzish?! Apo që civilë nga të gjitha komunitetet të torturoheshin dhe disa prej tyre të humbnin jetën derisa ishin të parandaluar nga UÇK-ja. Ju duhet të merrni vendim se pse kanë ndodhur këto gjëra”, tha ai.

Kryeprokurorja: Kërkojmë që të akuzuarit të japin llogari dhe t’iu shqiptohet dënimi i duhur
(Përditësuar, ora 12:13)- Kimberly West, Kryeprokurore e Specializuar, gjatë përmbylljes së fjalës përfundimtare të Prokurorisë, tha se Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqit duhet të japin llogari dhe duhet t’iu shqiptohet dënimi i duhur.

“Kanë kaluar shumë vite tashmë dhe ata të cilët kanë humbur pjesëtarët e familjes kanë menduar se nuk do të kenë drejtësi, por shteti i së drejtës nënkupton që askush nuk është mbi të drejtën dhe ligjin. Kjo do të thotë që edhe njerëzit më të fuqishëm duhet të japin llogari. Ne kërkojmë mbi bazën e provave të paraqitura të cilat e vërtetojnë përgjegjësinë pa asnjë dyshim që të akuzuarit të japin llogari dhe të jepet dënimi i duhur”, tha ajo.

Përveç kësaj, Kimberly West tha se gjatë këtij procesi janë pranuar mbi 5 mijë prova dhe 28 mijë faqe transkriptë, gjë që e ka bërë rastin voluminoz, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Mbi 5 mijë prova materiale janë pranuar dhe 28 mijë faqe transkriptë janë paraqitur këtu dhe kështu procesverbali i kësaj çështjeje verbale është voluminoz”, tha ajo.

Përveç kësaj, West falënderoi të gjithë ata që i kanë ndihmuar Prokurorisë në këtë çështje.

Të ngjashme