Lëvizja për Bashkim ka reaguar të premten lidhur me ndërtimin e murit në veri të Mitrovicës.
Për Lëvizjen për Bashkim ajo që është edhe më keq, është se që nga viti 1999 jemi sjellë sikur nuk po ndodhë asgjë.
Lexoni të plotë reagimin e Lëvizjes për Bashkim!
“Muri i filluar rishtazi nga serbët në Urën e lumit Ibër sikur i zgjoi nga gjumi shqiptarët e Kosovës ‘multietnike’ e më gjerë! Thuajse ky ‘mur’ në veri të Kosovës dhe ‘muri’ tjetër në lindje të saj, po aq i fortifikuar, të mos kenë ekzistuar që nga përfundimi i luftës, pra që më 1999 në veri dhe që më 2001 në lindje të Kosovës!
Por, ajo çka është më e keqja, që nga viti 1999 ne jemi sjellë sikur nuk po ndodhë asgjë! Kemi shijuar lirinë në territorin e mbetur dhe i kemi mbyllur sytë para ‘mureve’! Ajo çka është edhe më keq, edhe në bisedimet e Vjenës (2005), edhe në bisedimet e Brukselit (2011) as që është përmendur ekzistenca e “mureve”, por kemi zhvilluar bisedime për diskriminimin pozitiv apo edhe për avancimin e të drejtave të atyre “që ndërtonin mure”! Dhe nga këto bisedime në vend se të “shembeshin muret” në veri dhe lindje të Kosovës bisedimet prodhuan edhe një “mur” në Kuvendin e Kosovës! Serbëve, si mjeshtër të mureve, iu dha e drejta e vetos në Kuvendin e Kosovës!
Kosova me të gjitha këto mure nuk mund të ecë përpara! Ajo është e kurthëruar në “zgjidhjet” që nuk janë zgjidhje! As Pakoja e Ahtisarit, as Kushtetuta e Kosovës, as diskriminimi pozitive, asociacionet e asteriksat nuk janë zgjidhje, sepse ato nuk e kanë parasysh vullnetin e shumicës – shqiptarëve!
Kosovës i duhet urgjentisht një zgjidhje, e cila mbështet në vullnetin e shumicës së banorëve të saj. Përndryshe, edhe nëse fizikisht rrëzohet muri në veri të Kosovës, ‘muret’ që pengojnë ecjen përpara të Kosovës janë më të fuqishme sesa vullneti i saj!”.