Lëvizja për Bashkim (LB) ka reaguar pasi Qeveria e Kosovës bëri të ditur vlerën e koeficientit për pagat e sektorit publik.
Kjo parti thekson se ka kohë që Qeveria e ka mbajtur “të fshehur” koeficientin dhe paska pasur arsye të fortë.
“Vlera e koeficienti (105) e shpallur sot as për së afërmi nuk i përgjigjet nevojave të punëtorëve të sektorit publik dhe zhvillimeve ekonomike nëpër të cilat po kalon vendi ynë. Prandaj ky ligj, respektivisht kjo vlerë e koeficienti nuk do të prodhojë qetësi sociale, por, përkundrazi do të na shpie drejt pakënaqësive sociale e dukurive tjera negative në shoqërinë tonë siç është largimi i punëtorëve nga ky sektor, apo edhe vazhdimi i braktisjes së Kosovës”, thuhet në një komunikatë të Lëvizjes për Bashkim, dërguar medieve.
“Reagime të arsyeshme dhe të menjëhershme kanë ardhur nga shumë sektorë, si sektori i ushtrisë, policisë e ai i shërbyesve civilë”.
Sipas LB-së, politika e pagave të ulëta e pastaj ndihmave të qeverisë është një politikë e mjerimit dhe e nëpërkëmbjes së dinjitetit njerëzor.
“Ky ligj e ky vlerësim i koeficientit nuk është as për së afërmi ajo çka kanë pritur dhe çka meritojnë qytetarët tanë”, thekson ky subjekt politik.
LB kërkon që Qeveria menjëherë ta tërheqë këtë vlerësim të gabuar dhe ta bëjë rivlerësimin meritor, “përndryshe do të jetë vetë Qeveria përgjegjëse për të gjitha pasojat që do të prodhojë ky ligj e ky vlerësim”.