Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), ka adresuar kritika në adresë të mazhorancës për votimin e Strategjisë së Energjisë për periudhën 2022-2031. Këtë strategji, LDK-ja e quajti të dështuar, raporton Ekonomia Online.
Sipas LDK-së, Lëvizja Vetëvendosje e votoi këtë strategji me urgjencë, vetëm për të mbuluar dështimin e këtij dokumenti strategjik.
Në një konferencë për media, kryetari i degës së LDK-së në Ferizaj, Visar Azemi, ka thënë se si pasojë e mungesës së një strategjie të mirëfilltë, shpesh herë ka pasur rritje të çmimit të energjisë.
“Strategjia e Energjisë 2022-2031, dokumenti më me rëndësi për zhvillim të vendit është hartuar në kuadër të një procesi krejtësisht jo transparent dhe jo gjithëpërfshirës. Kosova në të gjitha krizat energjetike gjatë dy viteve të fundit është futur pa pasur strategji të aprovuar dhe ide se si t’i menaxhojë këto kriza të cilat rezultuan me rritje të çmimit të energjisë elektrike. Kjo strategji u vonua me muaj të tërë dhe u harrua tërësisht, ndërsa dje u kalua me urgjencë në Kuvend. Kjo qartazi po bëhet për të mbuluar dështimin e këtij dokumenti strategjik dhe ballafaqimit me problemin kryesor, atë të uljes së konsumit të energjisë elektrike që përdoret për ngrohje gjatë muajve të dimrit”, ka thënë ai.
“Edhe pse në dokument konstaton saktë që sektori i ngrohjes konsumon më shumë energji se çdo sektor tjetër i sistemit elektroenergjetik të Kosovës, fatkeqësisht, kjo strategji nuk e adreson këtë si çështje dhe kjo nuk reflekton në programet e propozuara nga kjo qeveri. Në këtë dokument thuhet se ngrohja do të trajtohet në kuadër të strategjisë për ngrohje. Paramendojeni, strategji e energjisë që nuk trajton problemin kryesor të konstatuar në vet dokumentin. Kjo është njëjtë sikurse kur një mjek diagnostikon sëmundjen, por terapinë e ofruar e ka për diçka krejt tjetër! Pra, nuk mund të ketë strategji të mirëfilltë të energjisë nëse problemi kryesor me energji e që është energjia termike trajtohet ndaras strategjisë për energji”.
Ai ka thënë se siç po bëjnë vendet e Evropës, gazi edhe për Kosovën duhet të shihet si mjet tranzicioni për prodhim të energjisë elektrike dhe si një mundësi për të ndërtuar ngrohtore qendrore në qytetet e mëdha të Kosovës.
“Bashkimi Evropian dhe SHBA në kuadër të tranzicionit prej djegies së lëndëve fosile deri në një koncept komplet të gjelbër janë duke e përdorur gazin. Pra, gazi është gjerësisht i njohur si mjet tranzicioni drejt dekarbonizimit të sektorit të energjisë, për shkak të dendësisë së lartë të energjisë, dhe ndikimit të vogël në mjedis. Të njëjtën alternativë e kanë ofruar edhe për shtetin tonë dhe kjo duhet shqyrtuar me seriozitet nëse dëshirojmë të krijojmë stabilitet në furnizim dhe siguri energjetike”, ka thënë Azemi.
Sipas tij në këtë dokument strategjik, në vend se të orientohet nga energjia e gjelbër dhe e ripërtritshme, Qeveria ka vendosur të vazhdojë varësinë e furnizimit vetëm më thëngjill, siç ka thënë ai, në kohën kur thëngjilli po bëhet çdo ditë e më pak i pranueshëm në botë.
“Vizioni i Qeverisë së Kosovës është të zhvillojë një sektor energjetik pa emetim të dioksidit të karbonit CO2 deri në vitin 2050”, thuhet në njërin nga paragrafet e këtij dokumenti ku edhe parashihet zbatimi gradual i taksës së karbonit e cila kryesisht i ngarkon termocentralet e thëngjillit. Në tjetrin paragraf, strategjia flet për revitalizimin e kapaciteteve gjeneruese me thëngjill të Kosovës A dhe B me një shumë prej 390 milionë euro. Kush e financon këtë?”, ka thënë ai.
“Pra në vend se strategjia të propozojë zgjidhje afatgjate për këtë sektor dhe t’i jap kahje zhvillimit të Kosovës drejt energjisë së ripërtëritshme, kjo qeveri vendosë të vazhdojë varësinë e furnizimit vetëm në thëngjill, pikërisht tani, në kohën kur thëngjilli po bëhet çdo ditë e më pak i pranueshëm në botë. Duhet të bëhet e qartë se termocentralet e thëngjillit nuk mund të jenë konkurruese me burimet e ripërtëritshme të energjisë nëse vendoset një taksë e karbonit”.