Lidhja Demokratike e Kosovës e ka lëshuar tryezën e organizuar nga Instituti “Grupi Ballkanik për Politika”, në të cilën janë ftuar liderë dhe përfaqësues të subjekteve politike për të diskutuar për dialogun Kosovë-Serbi.
Pas daljes nga takimi, Lutfi Haziri nga LDK-ja, tha se arsyet pse po e lëshojnë këtë debat janë mos-serioziteti, papërgjegjshmëria dhe sjellja politike karshi procesit të dialogut me Serbinë, raporton Ekonomia Online.
“Mos-serioziteti, papërgjegjshmëria dhe sjellja e tillë politike karshi një procesi kaq të rëndësishëm neve na bën të pamundshëm me marrë pjesë në debate të tilla. Mekanizmi dhe mjeti i vetëm është dialogu, duhet t’i përmbahemi këtij mjeti por duhet të sillemi përgjegjshëm. Edhe sot u pa mënyra e përfaqësimit, mënyra se si e injorojnë opozitën”.
“Nuk kemi hapësirë me vazhdu dhe natyrisht ky proces duhet të shtyhet aty ku e ka vendin. Deri atëherë presim çfarë do të sjellë ky takim. Nuk jemi të interesuar me dëgju vetëm deklarime politike. Vetëm pozicione deklarative për konsensus, përderisa gjithçka po punohet me rrënu konsensusin edhe me përjashtu konsensusin si mjet polutik. Kjo e sotmja tregon qartë se PDK-ja dhe AAK-ja si dy parti kryesore që qeverisin dhe bartin institucionet duhet me ndryshu mënyrën dhe sjelljen karshi opozitës dhe LDK-së si parti”.
Ndërsa Lëvizja Vetëvendosje ka vendosur që të mos shfaqet fare në këtë takim, raporton EO.
“Lëvizja VETËVENDOSJE! vendosi të mos marrë pjesë në “tryezën për dialogun politik” që është planifikuar të mbahet sot nga organizata Balkan Research Policy Group (BRPG) si “takim i liderëve”. Tryezat e tilla janë shpeshtuar shumë kohëve te fundit dhe duhet të reduktohen . Tryezat e tilla bëhen edhe më problematike kur formati i propozuar dhe organogrami për diskutim në tryezë përputhet me formatet e zyrës së Presidencës që drejtohet nga një person i diskredituar dhe i deligjitimuar si z.Hashim Thaçi. Ajo që na duhet është rikthimi i çështjes në Kuvend. Fokusimi shumë i madh i qeveritarëve te tryezat e shoqërisë civile për këtë çështje ndodh për faktin se Qeverisë i mungon shumica në Kuvend. Kurse për opozitën si dhe për shtetin e Kosovës është jetike që diskutimi të ndodh aty ku është përfaqësimi i zërit të qytetareve: në Kuvend. Kuvendi i Kosovës duhet t’ia tregojë vijat e kuqe Presidentit Thaçi dhe Serbisë”, shkruan në faqen zyrtare të Lëvizjes Vetëvendosje në rrjetin social “Facebook”.
Pjesë e takimit janë PDK-ja, AAK-ja, PSD-ja dhe Nisma.