LDK-ja do të kërkojë Komision Hetimor për rezervat shtetërore – Gashi: Prokuroria të nisë hetimet

Prishtinë | 09 Gus 2023 | 11:01 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi tha se në seancën e parë në sesionin vjeshtor do të kërkojnë Komision Hetimor për rezervat shtetërore, raporton Ekonomia Online.

Gashi tha se kjo do të bëhet me qëllim që të dihet se si është menaxhuar dhe nga kush rezerva shtetërore. Sipas tij, e vërteta është zgjidhja e duhur në këtë rast.

Sipas tij, për rezervën shtetërore dhe keqpërdorimet e mundshme duhet hetime serioze. Gashi tha se duhet që të ketë edhe hetime penale nga Prokuroria e Shtetit.

“Po jetojmë në një kohë kur kriza po e mbulon krizën, dështimi po e mbulon dështimin dhe shkelja kushtetuese po e mbulon atë paraprake, dhe kur shkelja e ligjit po e mbulon shkeljen paraprake dhe çdo gjë përcillet me afera. Qytetarët kanë nevojë që të dinë të vërtetat. E vërteta është zgjidhja e duhur dhe pikënisja për gjithçka”.

“Keqpërdorimet dhe abuzimet me rezervat shtetërore, pikërisht me produktet esenciale kërkojnë qasje hetimore serioze dhe përmbajtjesore, prandaj në emër të GP të LDK-së, në mbledhjen e parë të sesionit të vjeshtës do të kërkojë që të formohet një Komision Hetimor për të hetuar keqpërdorimet dhe abuzimet e mundshme me rezervat shtetërore”, tha më tutje ai.

“Përveç hetimeve penale që duhet t’i bëjë Prokuroria e Shtetit, ne mendojmë që duhet të ketë edhe hetim parlamentar për të parë nga afër sa janë respektuar ligjet dhe procedurat për rezervat shtratore”.

Fjalimi i plotë:

Të nderuar përfaqësues të medieve,

Të nderuar qytetarë të Republikës,

Po jetojmë në një kohë kur kriza po e mbulon krizën, dështimi po e mbulon dështimin, shkelja e Kushtetutës po e mbulon shkeljen paraprake të Kushtetutës, shkelja e ligjit po e mbulon shkeljen paraprake të ligjit, ndërsa afera po e mbulon aferën.

Qytetarët e Republikës kanë nevojë të dinë të vërtetën.

E vërteta është zgjidhja e duhur për të gjitha; është pikënisje për gjithçka.

Keqpërdorimet dhe abuzimet eventuale me rezerva shtetërore, përkatësisht me produkte esenciale, kërkojnë qasje hetimore serioze dhe përmbajtjesore.

Prandaj, në mbledhjen e parë të sesionit vjeshtor në Parlamentin e Kosovës, LDK do të kërkojë që të formohet një Komision Hetimor Parlamentar për të hetuar keqpërdorimet dhe abuzimet e mundshme me rezervat shtetërore.

Kështu që, përveç hetimeve penale që duhet t’i bëjë Prokuroria e Shtetit për këto raste, ne konsiderojmë se është e domosdoshme që të kemi edhe hetim parlamentar për të parë nga afër se sa janë respektuar ligjet dhe procedurat për çështjen e rezervave shtetërore.

-Duhet të kuptojmë të vërtetën se si janë menaxhuar rezervat shtetërore!

-Të kuptojmë se cila është procedura që është ndjekur?

-Të kuptojmë se a janë hapur tender për këto rezerva shtetërore?

-Nëse po, si kanë shkuar?

-Nëse jo, pse jo?

-Dhe nëse këto kontrata janë klasifikuara si sekrete, cila është forma që është përdorur për t’u vlerësuar si sekret? 

-Pse dhe si janë klasifikuar si të tilla?

-Çka është klasifikuar si sekret shtetëror; produkti, çmimi, vendndodhja, personat e involvuar, kontratat apo sekreti është i vlefshëm vetëm për qytetarët?

-Kush dhe si e ka menaxhuar këtë proces nga fillimi e deri në fund?

-Cilët kanë qenë akterët e pushtetit që e kanë drejtuar këtë proces?

-Cila mund të jetë afërsia eventuale e përfituesve të këtyre kontratave me pushtetin?

-Deri në cilin nivel të hierarkisë se pushtetit arrin marrëdhënia eventuale e përfituesve dhe pushtetarëve?

-Si dhe kush i ka përzgjedhur kompanitë furnizuese?

-Me çfarë kriteri?

-A ka qenë eksperienca e tyre?

-A ka qenë çmimi?

-Apo çka?

-Po ashtu duhet të shohim nëse janë realizuar kontratat?

-A janë respektuar afatet?

-A kanë qenë kontratat konform ligjit?

-A i kanë kryer detyrimet palët sipas kontratave?

E vërteta duhet të del në pah; duhet të dimë të vërtetën e menaxhimit politik, procedural dhe ligjor për menaxhimin me rezervat shtetërore.

E vërteta na ndihmon të gjithëve; është e domosdoshme për të gjithë pa përjashtim, ndaj ne do ta kërkojmë të vërtetën me të gjitha kapacitetet dhe mekanizmat institucional, në kuadër të  Komisionit Hetimor Parlamentar për menaxhimin e rezervave shtetërore.

Të ngjashme