LDK-ja doli partia më e votuar, Lumir Abdixhiku: Ju faleminderit nga zemra!

Prishtinë | 27 Tet 2021 | 23:23 | Nga Ekonomia Online

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka dalë partia më e votuar në zgjedhjet e 17 tetorit, pas numërimit të të gjitha votave.

E, për këtë ka reaguar edhe kryetari i kësaj partie, Lumir Abdixhiku.

Përmes, një postimi në profilin e tij në Facebook, Abdixhiku ka shkruar se rikthimi i tyre si parti e parë në zgjedhje lokale është përmbushje e plotë për ta.

Sipas tij, ky besim i dhënë do të kujdestarohet me plot përgjegjësi deri në vlerësimin tjetër.

Postimi i tij i plotë:

Pas përfundimit të procesit të numërimit të të gjitha votave, të rregullta, të mërgatës e me kusht, i falënderoj të 170,177 votuesit e LDK-së, që me besimin dhe mbështetjen e tyre, vendosën Lidhjen Demokratike të Kosovës si partinë e parë – me më së shumti vota – në zgjedhjet e 17 tetorit.

Rikthimi ynë, si parti e parë në zgjedhje lokale, është përmbushje e plotë për secilin nga ne. Por, mbi të gjitha, është rikujtim se angazhimi ynë i vërtetë dhe i drejtë merr gjithherë mbështetje qytetare. Këtë besim e këtë rikthim duhet ta kujdestarojmë me plot përgjegjësi deri në vlerësimin tjetër.

Puna jonë vazhdon. Në raund të dytë edhe më tej. LDK është për të gjithë. Ju faleminderit nga zemra!

Të ngjashme