Lidhja Demokratike e Kosovës dorëzoi të premten lëndën e saj në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, në lidhje me zhvillimet e fundit institucionale që, sipas këtij subjekti politik, përbëjnë shkelje të rendit kushtetues dhe parimeve demokratike, raporton Ekonomia Online.
Kjo parti i është drejtuar me pyetje kësaj gjykate lidhur me çështjen e Komisionit për votimin e fshehtë për të parin e kuvendit.
Shkëmb Manaj nga LDK-ja tha se pret që Gjykata Kushtetuese të vendosë sa më parë për këtë lëndë.
“Rregullorja e Punës e Kuvendit e ka të përcaktuar qartë se procedura nuk mund të ndryshojë. Duhet të vazhdojë votimi i hapur dhe të konstituohet Kuvendit, të zgjidhen kryetari dhe nënkryetarët e Kuvendit”, tha Manaj.
Ai ka kërkuar që “të mos shkelet më rendi i ditës nga kryesuesi i seancës Avni Dehari”.
“Gjykata e ka përcaktuar që rendi i ditës duhet të respektohet dhe të gjitha praktikat si më herët. Kushtetuta është shkelur edhe pas aktvendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe njëra ndër pikat e lëndës ka qenë që të mos shkelet më rendi i ditës nga kryesuesi i seancës Avni Dehari”, ka thënë Manaj, raporton EO.
