Ambasadori i Shteteve të Bashkuara, Philip Kosnett, i është kthyer turit të takimeve me zyrtarë të partive që po negociojnë koalicionin e ardhshëm qeverisës, pas bllokadave për finalizimin e marrëveshjes.
Derisa ka munguar një takim mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike, zyrtarë të dy subjekteve ia kanë hedhur topin njëra-tjetrës për mungesën e zgjidhjes që do t’i hapte rrugë marrëveshjes. Anash nuk ka qëndruar as presidenti Thaçi, i cili ka paralajmëruar të ndërmarrë veprime kushtetuese nëse vonohet propozimi i mandatarit. Por shkresat e presidentit Lëvizja Vetëvendosje i ka kualifikuar si presion përmes paragjykimit të procesit politik për formimin e Qeverisë.
Ambasadori i shtetit më të fuqishëm në Kosovë, Philip Kosnett, të hënën i ka shkuar në zyrë kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa. Derisa ambasadori nuk është deklaruar për media, sipas njoftimit zyrtar të LDK-së, ai ka kërkuar nga udhëheqësit krijimin sa më të shpejtë të Qeverisë dhe përmbushjen e mandatit të votuesve.
Ndërkaq kreu i LDK-së, Isa Mustafa, i cili shoqërohej nga nënkryetarët Vjosa Osmani, Agim Veliu dhe Lutfi Haziri, e ka njoftuar diplomatin amerikan për rrjedhën e bisedimeve të deritanishme me Lëvizjen Vetëvendosje për arritjen e marrëveshjes për bashkëqeverisje.
Por edhe pas takimeve me ambasadorin e ShBA-së dhe ish-ambasadorin e OSBE-së, Wiliam Walker, zyrtarë të LDK-së nuk kanë dhënë shenja për arritjen e marrëveshjes. Sipas tyre, topi është në anën e Lëvizjes Vetëvendosje.
“Zgjidhjen për situatën e bën VV-ja, jo na”, ka thënë shkurt Mustafa, pas takimit me Kosnettin.
Të njëjtën e ka përsëritur edhe zëvendësi i tij, Agim Veliu, teksa ka folur edhe për ofertën e Kurtit.
“Ne po presim një zgjidhje nga Vetëvendosje. Një zgjidhje që është funksionale për të dyja palët, derisa ta marrim zgjedhjen po presim. Përgjegjësia është e atyre që të ofrojë një zgjidhje në këtë situatë të krijuar. Nuk po flas as për ofertën e Kurtit, sepse ne nuk i kemi shqyrtuar në organet tona”, ka thënë Veliu.