LDK-ja kundërshton rritjen e tarifave të rrymës, tregon se kanë dërguar komentet në ZRrE

Prishtinë | 31 Jan 2022 | 14:25 | Nga Leonora Kolukaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), në një konferencë për medie, ka bërë të ditur se ka dërguar komentet e saj në Zyrën Rregullatorit të Energjisë (ZRrE), duke kundërshtuar rritjen e paralajmëruar të tarifave të energjisë elektrike.

Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Xhafer Tahiri, në hapje të konferencës njoftoi se LDK-ja sapo ka nisur komentet e saj në ZRRE lidhur me raportin vlerësues për ngritjen e tarifave për energjinë elektrike.

“Për LDK-në mbrojtja e interesave të qytetarëve është jetike përmes mekanizmave institucionalë në këtë rast, duke i dërguar komentet e veta në Zyrën e Rregullatorit të Energjisë, duke kundërshtuar rritjen e tarifave për energjinë elektrike”, tha Tahiri.

Ndërsa, deputetja e LDK-së, ish-ministrja Hykmete Bajrami, tha se kriza e energjisë elektrike ka nisur në vitin 2021, por sipas saj, qeveria ka luajtur spektatorin.

“Jemi të vetëdijshëm që është krizë globale, por jemi të sigurt që qeveria ka dështuar thellë në menaxhimin e kësaj krize. LDK do të ndjek rrugën institucionale, nëse është nevoja do të mbrojmë të drejtën e qytetarëve edhe në Gjykatën Kushtetuese”, u shpreh ajo tutje.

Bajrami tha se rritja e çmimit të rrymës e rëndon jetën e qytetarëve në kohë të pandemisë.

“Kemi parë se Qeveria e Republikës së Kosovës ka zotuar 75 milionë euro, me të cilët ka vendosur të subvencionojë ekonomitë familjare deri në 600 KW dhe sektorin e biznesit, konsiederojmë se shpërndarja e subvencionimit duhet të bëhet për të gjithë qytetarët pa dallim, sepse ndarja e 600 KW as nuk është ndarje në bazë të standardit të jetesës, e as nuk është kurfarë kriteri që do të kontribuojnë në përmirësimin e jetës së qytetarëve”, u shpreh Bajrami në konferencë.

“LDK-ja ka propozuar që Qeveria e Kosovës ta ulë Tatimin mbi Vlerën e Shtuar për energjinë elektrike në zero”, thekoi Bajrami.

“Ne konsiderojmë që ngritja e tarifave do ta rëndonte jetën e qytetarëve tanë, andaj kemi propozuar që komplet në vitin 2022 të mos ketë ngritje të tarifave”, tha Bajrami, ndër të tjera.

Ajo paralajmëroi se “nëse propozimet nuk kalojnë, Lidhja Demokratike e Kosovës do e sfidojë vendimin në Gjykatën Kushtetuese”.

Të ngjashme