Lidhja Demokratike e Kosovës nuk do të bëjë të ditur se si kanë votuar anëtarët e saj lidhur me shkarkimin e Vjosa Osmanit nga pozitat e saj në këtë parti.
Në një përgjigjeje të shkurtër për KOHË-n, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka thënë se votimi është proces i brendshëm dhe se mundet të garantojë vetëm për të dhënat e publikuara të shtunën mbrëma.
“Votimi është një proces i brendshëm demokratik. E drejtë individuale e çdonjërit. Unë garantoj vetëm për saktësinë e të dhënave që janë raportuar mbrëmë, si rezultate të përgjithshme të votimit”, ka thënë Mustafa.
Nga 123 anëtarë sa ka gjithsej Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së, 95 prej tyre kanë marrë pjesë në votimin elektronik. Prej tyre pro shkarkimit të Osmanit kanë votuar 70 anëtarë, 16 janë shprehur kundër, 9 kanë abstenuar.
Votimin e tyre kundër shkarkimit të Vjosa Osmanit nga pozita e nënkryetares dhe anëtares së kryesisë, e kanë bërë të ditur disa prej anëtarëve të LDK-së, si Haxhi Avdyli, Fatmir Rexhepi, Lutfi Haziri, Valentina Bunjaku, Xhafer Tahiri dhe Ardian Shala.