Lidhja Demokratike e Kosovës ka mbajtur mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Forumit të Gruas, me moton “Gra të fuqizuara, Shtet i fuqishëm”, raporton Ekonomia Online.
Në këtë Këshill, u kritikua qasja e Qeverisë karshi grave e sidomos pas rasteve të fundit të dhunës seksuale.
Kryetarja e Forumit të Gruas, Jehona Lushaku-Sadriu, duke folur për fuqizimin e gruas në shoqëri, adresoi kritika në drejtim të institucioneve për rastet e dhunës ndaj grave.
“Disa mëngjese këto javë jemi shtangur duke dëgjuar raste të dhunës ndaj grave e vajzave të mitura. Kriza ekonomike dhe inflacioni po e vështirësojnë shumë jetën e qytetarëve. Dhuna e pranishme është dhunë fizike e mentale, e gjithë kjo situatë rëndon gratë”, tha ajo.
“Rastet e dhunës seksuale janë alarm kambana për të gjitha ne. Qeveria e ka monopolin e ndërhyrjes së këtyre rasteve. Qeveria e paaftë po e përcjelle këtë katrahurë në mënyrë pasive, pasi shteti duhet t’i mbroje gratë. Na takon t’i edukojmë djemtë e vajzat tona. Na duhet reagim i fuqishëm shtetëror që ngacmuesit të dënohen”, tha tutje ajo.
Deputetja e LDK-së Hykmete Bajrami, tha se një përqindje e vogël e grave janë të punësuara në Kosovë.
“Takimi ynë ka moto të veçantë “gratë e fuqishme, shtet i fuqishëm”. Ne kemi shtet të dobët. Vetëm 14% e grave janë në punë ndërsa te burrat arrin në 46%. 80% e grave as nuk janë aktive në tregun e punës dhe është shokuese. Vajzat tona po edukohen dhe po preferon më shërby në shtëpi natyrisht që jo. Këto gra e vajza në momentin që bëhen nëna detyrohen m’i dhënë fund karrierës. 80% e grave që diplomojnë as nuk kërkojnë punë”, tha ajo.
Ndërsa deputetja e aderuar së fundmi në këtë parti, Doarsa Kica-Xhelili, përmendi rastin e 11-vjeçarës nga disa meshkuj.
Ajo kërkoi buxhet shtesë për institucionet e sigurisë në vend.
“Gjithçka që bëhet për gratë buron nga ato. As atëherë kur u është cenuar gjendja psikologjike. Ne kemi shumë durim. Andaj jemi këtu të prezantojmë platformën me vepra. Energjia e grave është e pashtershme për një shoqëri brutale me ne. Na u cenua rasti e shpirti me rastin e të dhunuarës 11 vjeçare. Sistemi të drejtësisë i duhet buxhet shtesë, i duhet buxhet shtesë edhe për policinë e Kosovës. Vettingu nuk ka alternativë dhe nuk duhet të shndërrohet në eksperiment”, tha Kica-Xhelili.
LDK mban Mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Forumit të Gruas me moton “Gra të fuqizuara, Shtet i fuqishëm” from Ekonomia Online on Vimeo.