Lidhja Demokratike e Kosovës, ka adresuar një varg kritikash dhe akuzash ndaj kryetarit të Prishtinë, Shpend Ahmeti, lidhur me të gjeturat e raportit të Auditorit për vitin 2018, raporton EkonomiaOnline.
Asamblisti Shefqet Osmani, në emër të Grupit të asamblistëve të LDK-së në Kuvendin Komunal të Prishtinës, tha se kryetari Ahmeti nuk i ka marr për bazë rekomandimet e auditorit, andaj të njëjtat janë përsëritur edhe gjatë vitit 2018.
“Komuna e Prishtinës e ka injoruar tërësisht Auditorin e Përgjithshëm pasi që vetëm në vitin 2017, Auditori kishte dhënë 25 rekomandime kurse deri në fund të vitit 2018 i kishte zbatuar vetëm 6 rekomandime, 5 ishin në proces, kurse 4 janë mbyllur pa u zbatuar fare, si dhe 10 rekomandime të këtij viti nuk ishin adresuar fare e që të njëjtat rekomandime janë adresuar edhe në vitin 2018”, tha Osmani.
LDK-ja pretendon se Shpend Ahmeti nuk ka arritur të klasifikojë mirë as investimet kapitale. Ia përmend disa shembuj.
“Kategoria e Investimeve Kapitale paraqet kamuflim të shpenzimeve duke përdor shpenzimet nga keqklasifikimet sikurse shpenzime të Investimeve Kapitale. Raporti vjetor financiar paraqet se komuna kishte realizuar 43% apo 16.793.474 euro nga 38.579.963 euro sa ishin planifikuar. Përderisa sipas Zyrës Kombëtare të Auditimit, investime kapitale kishte vetëm 15.360.556 euro që në % i bie realizim në investimet kapitale vetëm 38% për vitin 2018”, tha ai.
Osmani tha se nga keqqeverisja në Prishtinë, ka dal që teprojnë mjete duke neglizhuar ofrimin e projekteve për qytetin.
“Mjerim për një kryeqytet e sidomos për këtë qeverisje komunale kur nevojat për mirëqenie të qytetarëve janë aq të mëdha, si për shkolla, rrugë, ndriçim, kanalizim, ujë të pijshëm, çerdhe, e shumë nevoja tjera për qytetarët e Prishtinës me rrethinë. Kur të gjitha komunat kanë nevojë për më shumë buxhet për investime kapitale, Prishtinës tonë i teprojnë mjete nga pa aftësia dhe neglizhenca e ofrimit të projekteve për qytetin”, tha Osmani.
LDK-ja po i kërkon llogari Ahmetit për shpenzimin e rreth 1 milionë eurove, të cilat sipas kësaj partie nuk dihen se ku kanë shkuar.
“Ne kemi vërejtje edhe për Auditorin e Përgjithshëm në raport ku thuhet se buxheti final për vitin 2018 ishte 85.869.968 euro ndërsa realizimi për vitin 2018 ishte 61.331.462 euro dhe se mbetja është 24.538.506 euro dhe Auditori nuk e parasheh këtë ndryshim në pasqyra financiare dhe Komuna duhet të jap llogari se ku mbeti edhe 1.195.703 euro”, tha ai.
Osmani tha se Prishtina nuk e meriton një udhëheqës të tillë.
“Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti është një drejtues i dobët dhe një injorues i pashembullt për qytetarët e Prishtinës por i dashur në nivel qendror dhe shkelës i Kushtetutes së Kosovës duke marrë detyra si kryenegociator, Prishtina nuk e meriton këtë njeri dhe këtë qeverisje”, shtoi Osmani.