Zëdhënësja e LDK-së, Sibel Halimi ka thënë se Qeveria do të duhej të marrë masa për të kontraktuar energji, tash kur çmimi i energjisë në bursë ka rënë ndjeshëm.
Sipas Halimit, taksat e qytetarëve në vend se të zhvlerësohen muaj pas muaji nga inflacioni enorm, do të vlenin më shumë si investim në kapacitete prodhuese apo kontraktim energjie në bursë.
“Në vend se të angazhohen për të marrë masa për të kontraktuar energji – sidomos tani kur çmimi i saj në bursë ka rënë ndjeshëm; ministrja dhe e gjithë qeveria duarkryqe, konstatojnë në vend se të veprojnë. Taksat tona në arkën e shtetit, në vend se të zhvlerësohen muaj pas muaji nga inflacioni enorm, do të vlenin më shumë si investim në kapacitete prodhuese apo kontraktim energjie në bursë, që qytetarët tanë të mos mbesin në terr”, ka shkruar ajo.
Por që kjo të arrihet ajo tha se Qeveria do të duhej të punonte në këtë drejtim, sepse sipas saj, kryeministri dhe Qeveria dinë të bëjnë vetëm propagandë dhe videoklipe.
Kurse sot ministrja e energjisë, Artane Rizvanolli ka thënë se si rrjedhojë e motit të mirë në këtë kohë dhe uljes së kërkesës për energji elektrike, çmimi i rrymës në tregjet ndërkombëtare ka shënuar rënie dukshëm.