Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) thotë se po ndjek me shumë kujdes situatën e krijuar pas dështimit të sotëm, në Bruksel, të përpjekjeve për të gjetur një zgjidhje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e BE-së.
LDK-ja vlerëson se stabiliteti dhe siguria janë kushte thelbësore për të arritur progres, si dhe për të ushtruar sovranitetin në gjithë territorin e saj.
“Shtrirja e ligjshmërisë në gjithë territorin është e drejtë e pamohueshme e Kosovës. Suksesin e garanton koordimi me aleatët tanë, ShBA dhe BE”, thuhet në një komunikatë të kësaj partie.
“Qeveria e Kosovës në asnjë rast nuk duhet të sillet në atë mënyrë që Serbia të duket mirë dhe të fajësohet Kosova, siç ndodhi sot”, thekson LDK.
“Kosovës i duhen aleatët e saj, përkrahës historik të popullit të Kosovës. Kush i dëmton raportet me aleatët, rrezikon ta lë vendin tonë pa përkrahje”.
LDK rikujton se Kosova ka arritur deri këtu bashkë me aleatët dhe kështu duhet të vazhdojë edhe më tutje.