LDK në koalicion me VV-në? Lushaku-Sadriu: Jemi të gatshëm, por jo me çdo kusht

Prishtinë | 03 Gus 2026 | 19:08 | Nga Ekonomia Online

Anëtarja e Kryesisë së LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, ka deklaruar se partia e saj është e gatshme të kontribuojë në formimin e institucioneve të Kosovës, por ka theksuar se çdo marrëveshje politike duhet të bazohet në parime, program dhe ndarje të qarta të përgjegjësive.

Në emisionin “DPT te Fidani” në Klan Kosova, Lushaku-Sadriu tha se LDK-ja nuk e përjashton mundësinë e një marrëveshjeje politike, por një ujdi e tillë nuk mund të arrihet “me çdo kusht” dhe pa diskutuar paraprakisht kushtet e bashkëpunimit.

LDK-ja është e gatshme t’i formojë institucionet për aq sa ka peshë dhe nëse një marrëveshje politike arrihet. Por marrëveshja politike nuk bëhet me çdo parti politike dhe në çdo kusht që e vendos partia fituese”, u shpreh ajo.

Ajo tha se për një marrëveshje eventuale duhet të diskutohen parimet kryesore, programet politike dhe pozitat që do të ndahen mes palëve, ndërsa vendimi përfundimtar do të duhej të merrej nga strukturat e LDK-së.

Ajo shtoi se partitë politike, përfshirë edhe ato që kanë zgjedhur të qëndrojnë në opozitë, kanë të drejtën e tyre për këtë qëndrim, por secili subjekt duhet të kontribuojë në mënyrën e vet për tejkalimin e krizës institucionale.

Të ngjashme