Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka mbajtur fjalimin e rregullt para deputetëve të Kuvendit të Kosovës.
Grupi parlamentar i LDK-së kanë qëndruar në sallë në këtë fjalim të presidentes Osmani, ndryshe nga dy partitë tjera opozitare, PDK dhe AAK.
Nga AAK kanë thënë se Osmani ka dështuar t’i përmbushë obligimet e saj si presidente e vendit, për të përfaqësuar unitetin e popullit.
“Presidentja Osmani ka dështuar t’i përmbushë obligimet e saj si presidente e vendit, për të përfaqësuar unitetin e popullit. Në shumicën e rasteve është në shërbim të kryeministrit, në funksion të agjendës së tij. Andaj, Grupi Parlamentar i AAK-së refuzon të marrë marrë pjesë në adresimin e Presidentes së Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.
Ndërsa PDK kanë njoftuar se nuk do të jenë pjesë e seancës së organizuar për fjalimin vjetor të Presidentes Osmani.
“Grupi Parlamentar i PDK-së konsideron se organizimi i sotëm i fjalimit vjetor të Presidentes Vjosa Osmani, para deputetëve të Kuvendit, është një tjetër spektakël i pushtetit, që përmes rregullave formale të raportimit para Kuvendit, të mbulojë dështimin e mospunës së Presidentes”, u tha në njoftim.
