LDK: Qeveria Kurti çdo ditë po merr kartonë të kuq, hyri në histori për shkelje të shumta të Kushtetutës

Prishtinë | 04 Gus 2023 | 11:14 | Nga Gzim Mujaj

Pas vlerësimit të Gjykatës Kushtetuese në lidhje me Ligjin për Zyrtarët Publikë, Lidhja Demokratike e Kosovës ka mbajtur konferencë për medie, raporton Ekonomia Online.

Deputeti i LDK-së Armedn Zemaj tha se e kanë mirëpritur këtë vendim, duke shtuar se Qeveria Kurti po i shkel të gjitha ligjet dhe Kushtetutën.  Ai numëroi po ashtu edhe të gjitha shkeljet që ka bërë kjo Qeveri.

“Sot e kemi thirrur këtë konferencë për të shprehur shqetësimin e thellë për shkeljet e vazhdueshme dhe të shumta të ligjit dhe Kushtetutës nga pushteti. Me një fjalë, ky pushtet është pushtet i shkeljeve ligjore dhe i ngeljeve kushtetuese. Po i përmendim vetëm disa nga ligjet e miratuara në Kuvend të Kosovës që janë dërguar dhe shqyrtuar në Gjykatën Kushtetuese, me ç’rast edhe një herë u dëshmua se ky pushtet dinë vetëm të shkel Kushtetutën.  Shkelja e parë ndodhi gjatë kohës së pandemisë Covid-19 1.TE SHPALLE qe Vendimi nr. 01/15 i Qeverise se Republikës se Kosovës, i 23 marsit 2020, nuk është ne përputhshmëri me nenin 55 [Kufizimi i te Drejtave dhe Lirive Themelore] te Kushtetutës ne lidhje me nenet 35 [Liria e Lëvizjes], 36 [E drejta e Privatësisë] Shkelja e dytë Edhe hera e dytë kishte të bënte me pandeminë Covid-19. Kësaj here, u ataku vendimi i Qeverisë Kurti për vendosjen e karatinës dhe kundërvajtjet ndaj atyre që nuk respektonin rregullat.  Shkelja e tretë e Kushtetutës u krye nga ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci. Sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, ministrja Arbëri Nagavci kishte ndërhyrë në kompetencat e Komunës së Kamenicës për reformën në arsim e filluar nga ish-kryetari Qëndëron Kastrati. Shkelja e katërt në muajin mars të vitit 2023, Gjykata Kushtetuese gjeti se ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e ka shkelur Kushtetutën. Gjykata shpalli anti-kushtetues Ligjin për Këshillin Prokurorial i cili u hartua nga Ministrja e Drejtësisë. Shkelja e pestë: Gjykata Kushtetuese e ka shpallur të pabazë vendimin e Kuvendit në vitin 2021 për ta shkarkuar të gjithë Bordin e RTK-së”.

“Ndërsa, mendojmë se këta janë edhe shkelës dhe ngelës potencial përballë Kushtetutës te Te Ligji për Paga në sektorin publik, dhe ngelës përballë Kushtetutës Te Ligji për Masat e Përkohshme të Produkteve Themelore në Raste të Veçanta të Destabilizimit në Treg. Anëtarët e kësaj Qeverie janë shkelës serik të ligjit dhe kushtetutës. Ky pushtet ka hyrë në histori për të keq për shkelje të ligjit dhe Kushtetutës, Ky pushtet ka hyrë në histori për të keq kur ka bërë thirrje që ligjet të mos i nënshtrohen vlerësimit nga Gjykata Kushtetuese. Pra, pushteti fillimisht ka bërë thirrje publike për shkelje të Kushtetutës dhe pastaj e ka shkelur. Që i bie se e kanë shkelur me vetëdije dhe për qëllime politike e përfituese Kushtetutën e vendit. Ndryshe, i bie që ka bërë thirrje publike që anarkia të dominojë. Ka bërë thirrje publike që frikësimi të jetë lënda e parë qeverisëse. Ka bërë thirrje që të gjithë të jenë të frikësuar se pushteti është mbi ligjin dhe Kushtetutën. Ka bërë thirrje që ky pushtet me cdo çmim duhet të respektohet; edhe kur aferat korruptive s’kanë të ndalur, edhe kur pasurohen paligjshëm, sepse këta të korruptuar potencial nuk i nënshtrohen ligjit, ngase do ta kenë mbrojtjen e Albinit. Shkelja e ligjeve dhe e Kushtetutës gjatë këtij pushteti e nga pushtet tashmë ka kaluar në normalitet. Shkel mbi parimet, Shkel mbi të drejtat e njeriut, Shkel mbi mediat e pavarura, Shkel mbi gjithçka qe është demokratike, Shkel mbi shtetin për pushtet”.

Koordinatori i Departamentit për Drejtësi në LDK, Shkëmb Manaj, tha se Qeveria Kurti çdo ditë po merr kartonë të kuq dhe dje e mori edhe një nga Gjykata Kushtetuese.

Ai i ka ftuar të gjithë zyrtarët e shërbimit civil që të jenë në shërbim të shtetit të Kosovës, duke shtuar se LDK-ja administratën e shtetit nuk e konsideron administratë të partive politike, raporton EO.

“Çdo ditë kemi ankesa nga zyrtarë të shtetit, çdo ditë e më shumë po marrin pushim pa pagesë vetëm për të mos qenë pjesë e këtyre vendimeve. Ky pushtet duhet të ndalet që të shpëtohet shteti i Kosovës. LDK i fton të gjithë zyrtarët e shërbimit civil që të jenë në shërbim të shtetit të Kosovës”.

“Për ne dallimi do të bëhet vetëm në ata që janë në zbatim të ligjit dhe ata që nuk janë. Qeveria jonë do të jetë në funksion të zhvillimit ekonomik dhe sundimit të ligjit. Kjo qeverisje anti-kushtetuese duhet të shkojë në shtëpi andaj, LDK sot i jep karton të kuq”.

Të ngjashme