Lidhja Demokratike e Kosovës ka mbajtur sot Këshillin e Përgjithshëm të partisë, ku ka marrë disa vendime.
Në mesin e tyre është vendimi për shpalljen e zgjedhjeve të brendshme të partisë.
Datë e këtyre zgjedhjeve është caktuar 1 qershori i këtij viti.
Këto janë vendimet e marra në takimin e sotëm të Këshillit:
- Lidhja Demokratike e Kosovës, shpallë zgjedhjet e rregullta të brendshme. Zgjedhjet fillojnë nga data 1 qershor 2023. Njihen rezultatet e zgjedhjeve të jashtëzakonshme, të organizuara në të gjitha nivelet në degët: Gjakovë, Obiliq, Klinë dhe Malishevë.
- Këshilli i Përgjithshëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës, autorizon Kryesinë Qendrore, në caktimin e komisioneve përkatëse zgjedhore, përkatësisht Komisionin Zgjedhor dhe Komisionin e Ankesave, që konform statutit të Lidhjes Demokratike, të organizojë procesin zgjedhor.
- Këshilli i Përgjithshëm, autorizon Kryesinë Qendrore, që konfrom platformës së prezantuar në Kuvendin e fundit zgjedhor të LDK-së, të implementojë fuqizimin e degëve të Prishtinës, nëpërmjet riorganizimit gjeografik e territorial.
- Këshilli i Përgjithshëm, autorizon Kryesinë Qendrore, që konfrom platformës së prezantuar në Kuvendin e fundit zgjedhor të LDK-së, sikurse dhe raportit të Ekipit Politik për Mërgatë, të implementojë fuqizimin e degëve në Zvicër dhe në Gjermani.
- Procesi i regjistrimit të anëtarësisë, duhet të shërbejë në funksion të organizimit të brendshëm zgjedhor, si domosdoshmëri e ushtrimit të demokracisë së brendshme.
- LDK, mbetet e përkushtuar në fuqizimin e rolit të gruas brenda strukturave të brendshme organizative. Strukturat e LDK-së në të gjitha nivelet do të sigurojnë përfaqësim të barabartë gjinor të bazuar në ligjet e Kosovës në fuqi. Përveç kësaj çdo degë e Lidhjes Demokratike të Kosovës duhet të ketë së paku një nënkryetar/e të gjinisë tjetër me kryetarin/en e zgjedhur të degës.
- Këshilli i Përgjithshëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës, autorizon Kryesinë dhe trupat përkatëse zgjedhore, të rithemelojë 4 degë të reja: atë në Zveçan, Leposaviq, Zubin Potok (Çabër) dhe Mitrovicë të Veriut.