Le të shtiremi me të gjitha pra! Edhe me atë që hamë

Tiranë | 18 Sht 2018 | 21:15 | Nga Iva Tiço

Të postosh ushqimin në rrjetet sociale sot është “must” (d.m.th. e detyrueshme, rrjetet sociale kanë bërë të detyrueshme dhe përdorimin e fjalës anglisht në këtë rast, pra must). Kush më shumë e kush më pak e bëjmë të gjithë. Unë e para. Për shumë arsye: që nga fakti se si adhuruese e ushqimit, pjatat e mbushura plot ngjyra më duken një nga gjërat më të bukura në botë, e deri tek blogu që kam hapur së fundmi bashkë me Kel Demin e që më bën që përpara se të ngul pirunin të shkrep celularin, edhe kur përreth kam njerëz që e urrejnë këtë gjest.

Ndaj, nga kjo pikëpamje ndoshta do të duhej të isha personi i fundit në botë që të tallem me fotot e blogereve të modës, të cilat krahas çantave e këpucëve postojnë dhe tryezat e mbushura plot. Për to është pjesë e punës: ushqimi merr “like”, ushqimi tërheq vëmendje, ushqimi tërheq më shumë ndjekës dhe në fund fare ato marrin më shumë para… Sidomos kur bëhet fjalë për ushqime popullore, nga ato që hanë të gjithë, e kam të provuar vetë: një tavë me bamje ngjall shumë më shumë interes sesa një pjatë e kuzhinës gourmet, kurse një fotografi e thjeshtë duke ngrënë symbyllur një picë fiton denjësisht mbi një fotografi të bërë nga një fotograf profesionist.

Pra, njerëzit duan të identifikohen me ata që ndjekin, edhe kur vjen puna tek ushqimi. Dhe si kudo, sërish edhe këtu manipulohen. Edhe pse siç thuhet “nuk ka dashuri më të sinqertë se dashuria për ushqimin”, edhe këtu pra paska shtirje. E fundit erdhi sot, nga Chiara Ferragni dhe e motra, familja që është kthyer në makineri parash në çdo postim që bëjnë. Prej disa ditësh klani i tyre është zhvendosur në Cremona, ku duket se po xhirojnë një dokumentar për jetën e blogeres dhe me këtë rast u janë kthyer vendeve, zakoneve dhe njerëzve të fëmijërisë… Por kur vjen fjala tek pica, ajo shërben vetëm për të pozuar: të dyja me një nga copë në dorë, ndërsa pjatat qëndrojnë të paprekura, me një rrumbullakësi të pacënuar, përpara tyre…

I imagjinoj teksa shkrepin fotot, i kontrollojnë në aparat, derisa binden që e kanë të duhurën, pastaj i marrin edhe një herë erë asaj që kanë në dore (unë në mos do e haja një cep, se paku do e lëpija njëçik) dhe pastaj largojnë pjatat dhe nisin të ngulin pirunin në tasin e sallatës. Java e modës në Milano është një hap larg, ndaj dhe sallata nuk duhet të ketë asnjë pikë vaj, asnjë kokërr kripë. Limoni për ta lezetuar lejohet… Por picën nuk mund ta shohësh as në ëndërr, para një aktiviteti të tillë. Dhe para kësaj ka qenë dasma, para dasmës prova e kostumit të banjës, para tyre javët e modës në pranverë… Eh, nuk është dhe aq e bukur jeta e Ferragnit me shoqe, ke një mal me para, por me to nuk “blen” dot atë kafshatën që do.

Por asnjëra prej tyre nuk mund ta thotë këtë, nuk mund të rrëfejnë kurrsesi që kanë një jetë të tërë pa ngrënë, siç më pat rrëfyer dikur mua në konfidencë një balerinë… Ndaj pozojnë herë pas here si goca normale, herë me ndonjë pjatë makarona, e herë me të tjera ushqime, që kanë një kuintal yndyrna dhe karbohidrate. Është e gjitha pjesë e shtirjes, të tregojmë në rrjet atë që nuk jemi. Me qindra mijëra vajza tregojnë çdo ditë përmes postimeve jetën e bukur që gjasme bëjnë dhe pasurinë që nuk e kanë. Kurse këto që e kanë, tregojnë bukën që u mungon. Të gjithë i gënjejnë të gjithë, sepse kjo puna e ushqimit është në fund të fundit edhe status: përveçse merr “like”, tregon restorantet që frekuenton, buxhetin që shpenzon, jetën që bën (ose që shet). Dhe që më kujton atë barsoletën që tregohej në kohën e fëmijërisë sonë të tollonit, kur mësuesja pyeste gjithë nxënësit çfarë hëngre në drekë dhe të gjithë përgjigjeshin “mish me patate”, derisa pyeti njërin “sa hëngre” dhe ai u përgjigj “tre gota”…

Është e lashtë pra dhe kjo e shtirura me ushqimin. Instagrami thjesht na e nxjerr një çik më shumë përpara syve. (Tiranapost.al)

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme