Liridon Leci e ka shijuar dje ditën e parë të plotë pas daljes nga Burgu i Pejës, në të cilin qëndroi 48 orë në paraburgim, pasi u arrestua në fund të ndeshjes ndërmjet Besës dhe Prishtinës, e zhvilluar të dielën që shkoi.
Futbollisti kosovar thotë se dy ditët që qëndroi në burg ishin të barabarta me 200 ditë.
Ai nuk e kishte menduar kurrë se do të përfundonte në një situatë të tillë, shkruan sot gazeta Zëri.
“Kanë qenë dy ditë shumë të rënda, ishte një vend që nuk do t’ia preferoja askujt, bile as armikut. Jam munduar ta menaxhoj sa më mirë këtë kohë, edhe pse ato dy ditë më janë dukur të gjata si 200 ditë. Ndonjëherë mendoja se përse jam këtu?! Çka kam bërë që jam këtu? Nuk kisha dëgjuar asnjë rast që një sportist të arrestohej e as që më kishte shkuar mendja që kjo një ditë do të më ndodhte mua”, shprehet Leci për “Zërin”.
“Në ditën e parë sjellja e policëve ka qenë më e vrazhdë dhe nuk më kanë trajtuar mirë, pasi mendonin se e kam sulmuar kolegun e tyre, siç shkruante në raportin e Policisë. Por, të nesërmen sjellja e tyre ndryshoi dhe më thoshin se ishte një keqkuptim. Më së rëndi më vjen që 2-3 policë në raport kanë shkruar se e kam sulmuar policin, nuk e prisja këtë nga ta”, vazhdoi ai.
Futbollisti i FC Prishtinës e ka angazhuar një avokat, por nuk është ende i vendosur nëse do të vazhdojë të kërkojë drejtësi për atë që i ka ndodhur. Për t’i fashitur gjërat, ai e ka një kërkesë.
“Do të ishte mirë që polici i cili më ka arrestuar, por edhe ata 2-3 që kanë dhënë deklarata jo të vërteta, të më kërkojnë falje. Avokatin e kam angazhuar, të shohim se si do të veproj në ditët në vazhdim”, thotë Leci, i cili një pjesë të karrierës e ka kaluar në Shqipëri dhe në Suedi.
“Ma kanë prishur imazhin, mua, por edhe klubit tim e futbollit kosovar. Unë nuk e kam bërë asnjë veprim të jashtëligjshëm. Kam menduar se portieri ynë ka pësuar lëndim të rëndë, që i është rrotulluar gjuha dhe kam vrapuar për ta ndihmuar. Më pas polici më ka pyetur se kush jam dhe se përse përfundova në fushë dhe i kam treguar. Më tha se do të më arrestonte dhe unë i thashë se nuk kishte arsye”, tregon futbollisti prishtinas.
Ai i ka falënderuar të gjithë ata që i kanë dalë në mbrojtje gjatë periudhës sa qëndroi në paraburgim, sidomos mediet.
“Po të mos ishin mediet ndoshta do të përfundoja gjashtë muaj, një apo dy vjet në burg, pasi në raport të Policisë thuhej se kam bërë sulm fizik ndaj policit. Për fat të mirë, më ka shpëtuar xhirimi që është përhapur shpejt, ku shihet që unë nuk kam bërë asgjë. I falënderoj mediet shumë, pastaj futbollistët, kapitenët, trajnerët, të gjithë njerëzit e sportit, por edhe politikanët, të cilët më kanë mbështetur në rrjete sociale apo edhe në mënyra të tjera”, përfundoi Leci, i cili u është kthyer stërvitjeve të mërkurën.