Rekordet vendosen për t’u thyer. Por kjo thënie nuk e shqetëson Sejdi Blakajn, veteranin e njohur dhe të suksesshëm të atletikës kosovare. Blakaj 61-vjeçar mburret me rekordet e tij, por njëri prej tyre e bën atë të pathyeshëm për gati katër dekada.
Është ky rekordi në hudhjen e diskut, të cilin Blakaj e ka vendosur në vitin 1987 në kampionatin e mbajtur në Prizren. Atëbotë, Blakaj e ka hedhur diskun hiç më pak se 42.60 metra. Insiston se ky është rekordi i tij dhe i Kosovës, shkruan sot Koha Ditore.
Këtë e dokumenton me ato që ka, sidomos me shkrime në gazeta. Në Federatën e Atletikës së Kosovës (FAK), Blakaj figuron si rekordmen në hudhjen e diskut, por për një distancë më të shkurtër.
Thuhet se Blakaj ka vendosur rekord më 11 korrik të vitit 2004 në Mitrovicë, kur e ka hedhur diskun në distancë prej 41.80 metrash. Ky rekord në uebfaqen e FAK-ut figuron te rekordet e Kosovës pas pavarësimit të sportit kosovar, që do të thotë se rekordi i viteve të 80-ta që është vendosur nga Blakaj “nuk numërohet”.
Për më tepër, edhe disa rekorde e suksese të Blakajt kohëve të fundit kanë nisur të kontestohen nga FAK-u me arsyetimin se federata ka nisur të mbajë shënime nga viti 2002 e tutje. Blakaj është i qetë me veten dhe i di rekordet e tij. Emri i tij figuron edhe te rekordi për hedhjen e gjylës – 13.32 metra në vitin 2010 në Mitrovicë, ndonëse muaj më parë përmes një njoftimi, Federata njoftoi se Muhamet Ramadani ka thyer rekordin e tij me hedhje të gjylës – 13. 97 metra.
Edhe në këtë rast Federata ka marrë për bazë vetëm rezultatet pas vitit 2002. Arsyetimi i Federatës është se rekordet e para vitit 2002 nuk numërohen, meqë vetëm nga ai vit ka nisur të mbajë shënime. Por rekordi i Blakajt në hedhje të gjylës është 14.87 metra i vendosur në Mitrovicë në vitin 1988.
Për këtë si dëshmi tregon shkrimet në gazeta. Në fakt, federata mund edhe të mos mbajë fare shënime, por atletika në Kosovë zhvillohet prej shumë dekadash.