Legjenda e boksit, Aziz Salihu, nuk e ka ndërmend të ndalet. Pasi nuk u bë e mundur të organizojë turneun ndërkombëtar të boksit, “Olimpik Zizi për diasporën”, përpara Teatrit Kombëtar në Prishtinë më 28 korrik, siç e kishte paraparë ai, të njëjtin turne po planifikon ta mbajë më së largu në muajin tetor të këtij viti.
Salihu ka thënë se tashmë ka nisur t’i bëjë të gjitha përgatitjet për këtë turne, i cili do të shndërrohet në tradicional dhe do të mbahet vit pas viti për të nderuar diasporën. Ai thotë se ka dashur që ky turne të mbahet sipas orarit që e kishte paraparë, por në momentet e fundit një gjë e tillë nuk u realizua për shkak se Komuna e Prishtinës nuk e lejoi ta mbante në hapësirën ku e kishte planifikuar, shkruan sot Koha Ditore.
Pavarësisht kësaj, Salihu nuk është tërhequr, por po punon fuqishëm për ta kompensuar orarin e humbur. Ai pret që edhe në tetor ta ketë konfirmimin e boksierëve nga shtatë shtete të tjera, të cilët është dashur të boksojnë në fund të muajit korrik.