Fituesi i dikurshëm i Topit të Artë, Hristo Stoichkov i ka treguar favoritët e tij të Kampionatit Evropian. Ish-futbollisti i Barcelonës dhe Parmës, përmes profilit të tij në rrjetet sociale e ka shprehur mendimin e tij rreth finales së “Euro 2020”.
“Është një turne i madh, grupi i vdekjes u shndërrua në grupin e humbësve (iu referua Gjermanisë, Francës dhe Portugalisë). Për të bërë parashikime është mjaft e vështirë. Por, në këtë moment, finalja ime është Itali – Angli”, deklaroi ish-futbollisti i njohur bullgar.
Italia do të luajë sonte me Belgjikën në çerekfinale të Evropianit. “Azzurrët” shihen si një prej favoritëve për të triumfuar në “Euro 2020”. Nga ana tjetër, Anglia do të ketë punë me Ukrainën nesër mbrëma. Nëse e fitojnë këtë duel, “Tre Luanët” më pas do t’i kenë dy ndeshje eventuale në “Wembley”, gjysmëfinalen dhe finalen. Duke e pasur parasysh se nga “Euro 2020” janë eliminuar pesë kombëtare të forta si Franca, Gjermania, Holanda, Portugalia e Kroacia, parashikimi i Stoichkovit mund të realizohet.