Legjendat e dekadës: formacioni më i mirë i futbollistëve të pensionuar

Prishtinë | 28 Dhj 2019 | 18:36 | Nga Ekonomia Online

Gjatë dhjetë vjetëve të fundit një numër i madh i futbollistëve të jashtëzakonshëm kanë varur këpucët në gozhdë. Në fakt, aq shumë lojtarë u kanë dhënë fund karrierave të tyre prej fillimit të vitit 2010 deri më tash, saqë mund të krijohet një ligë e tërë me ekipe, të cilat do të përbëheshin me futbollistë madhështorë, që gjatë karrierës së tyre kanë pasur suksese të jashtëzakonshme, shkruan sot Koha Ditore.

Më poshtë është formacioni më i mirë i dekadës, sipas “Yahoo!Sports”, me futbollistë të pensionuar gjatë dhjetë vjetëve të fundit. Përzgjedhja ishte jashtëzakonisht e vështirë. Për t’ia vënë qershinë mbi tortë, ekipit i është caktuar edhe një trajner që konsiderohet legjendë në botën e këtij sporti, edhe ai i larguar nga kjo punë gjatë dekadës së fundit.

Portier – Edwin van der Sar

Fitues i tetë titujve të kampionit në Angli dhe Holandë, me fanellat e Manchester Unitedit dhe Ajaxit. Është ndër më të dekoruarit në botën e futbollit, me 27 trofe në karrierë. Dy herë ka triumfuar edhe në Ligën e Kampionëve dhe është lojtari i dytë me më së shumti paraqitje në historinë e Përfaqësueses së Holandës – 130. Edwin van der Sar vendosi të tërhiqet nga futbolli aktiv në vitin 2016, kurse karrierë ka bërë edhe Juventusi e Fulhami, aktualisht është president i Ajaxit.

Mbrojtës i krahut të djathtë – Javier Zanetti

Një prej kandidatëve për t’u shpallur mbrojtësi më i mirë i djathtë në historinë e futbollit, Javier Zanetti, i dha fund karrierës 22-vjeçare si futbollist aktiv në vitin 2014 me fanellën e Interit. Ai me ekipin italian ka fituar 16 trofe për 19 edicione sa luajti, përfshirë këtu edhe “tripletën” në edicionin 2009/10. Ai ka edhe 143 ndeshje me Argjentinën, por shihet si njeri i Interit, ekip në të cilin tash mban postin e nënkryetarit.

Qendërmbrojtës – Fabio Cannavaro

Është mbrojtësi i fundit që ka fituar “Topin e artë”, falë suksesit që e arriti me Përfaqësuesen e Italisë duke triumfuar në botërorin e vitit 2006 ku pati paraqitje të jashtëzakonshme. Fabio Cannavaro ka edhe dy tituj kampioni në La Liga me skuadrën e Real Madridit, kurse nuk i kanë munguar trofetë as me Parmën. Aktualisht është trajner i skuadrës nga Kina, Guangzhou Evergrande, pasi i dha fund karrierës në vitin 2011 tek Al-Ahli.

Të ngjashme