Lekaj: Është treni i fundit që Kurti mund ta zë dhe ta drejtojë aty ku duhet, shtetin dhe fatin e qytetarëve të tij

Prishtinë | 02 Kor 2023 | 15:20 | Nga Ekonomia Online

Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj thotë se partia e tij e ka parashikuar qysh nga fillimi eskalimin e situatës dhe për këtë arsye e cek se kanë qenë edhe kundër zgjedhjeve.

Lekaj thekson se masat ndëshkuese nga BE-ja erdhen pas kokëfortësisë së kryeministrit Kurti.

“Me shqetësim e kemi përcjellur në vazhdimësi procesin e ngjarjeve të komunave në veri. Ne si AAK jo rastësisht kemi qenë kundër zgjedhjeve në fillim sepse e kemi parashikuar eskalimin e situatave dhe përshkallëzimin e dobësimin e shtetit në këtë proces”, tha Lekaj.

“Kokëfortësia e Kryeministrit ndaj ndërkombëtarêve dhe mos bashkëpunimi me opozitën e akterët tjerë relevantë brenda vendit, ka bërë që Kosova të ndëshkohet duke marrë masa nga Bashkimi Evropian”, shtoi Lekaj.

Lekaj thotë se, Qeveria duhet të korrigjojë gabimet dhe të bëhet konstruktive në raport me BE-në dhe ndërkombëtarët për temat nacionale, duke mos harruar edhe unitetin e brendshëm politik.

“Masat si suspendimi i mekanizmave që kanë ndihmuar Kosovën në marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, anulimi i takimeve të rëndësishme në nivel Kosove, ndërprerja e fondeve për Kosovën nuk janë lajm i mirë për qytetarët dhe as nuk i janë dashur shtetit si subjekt në rrugëtimin drejt Evropës. Është treni i fundit që z.Kurti mund ta zë dhe ta drejtojë aty ku duhet, shtetin dhe fatin e qytetarëve të tij”, tha Lekaj.

“Urojmë që tani e tutje Qeveria të korrigjojë gabimet dhe të bëhet konstruktive në raport me BE-në dhe ndërkombëtarët për temat nacionale, duke mos harruar edhe unitetin e brendshëm politik”, thotë Lekaj për GazetaBlic.

Të ngjashme