Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Pal Lekaj, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje ka ndryshuar nga ajo që ishte në opozitë, raporton Ekonomia Online.
Ky konstatim i Lekajt vjen pasi kjo parti në kohën sa ishte në opozitë përkrahte grevën e SBAShK-ut.
Në një intervistë për Ekonomia Online, Lekaj ka thënë se është e papranueshme që një Qeveri e majtë të mos i përkrah sindikatat.
Sipas tij, Kurti ka ndryshuar negativisht dhe po shtynë qytetarët që të revoltohet dhe të marrin veprime të pakontrolluara.
“Nëse e shohim Lëvizjen Vetëvendosje si opozitë çdo herë ka përkrahur kërkesat e qytetarëve dhe grevistëve, dhe tani nëse e shohim Kurtin në Qeveri është një ndryshim i kursit politik i atyre që u ka premtuar, ndërsa tani shohim një njëri krejt tjetër me një ndryshim esencial të politikës dhe nëse e shohim një Qeveri e majtë që nuk i përkrah sindikatat, atëherë nuk do mend se me të vërtetë ky (Kurti) ka ndryshuar rrënjësisht negativisht dhe mendoj se Qeveria e Kosovës është duke e shtyrë qytetarin që të revoltohet dhe ndoshta një ditë të marrë veprime të pakontrolluara”, ka thënë Lekaj.
“… prandaj është thirrje për Qeverinë se duhet të zhvillojë dialogun social dhe në këtë drejtim grevistët që kanë të drejtë që të marrin atë që e kërkojnë dhe të fillojë normalizimi i procesit mësimor”, u shpreh Lekaj.