Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Pal Lekaj në një intervistë për Ekonomia Online, ka thënë se vetëm një njeri i krisur mund të mos e respektojë aktvendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Kështu ai ka kritikuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurtin për kokëfortësi, e që sipas tij ai po zvarrit të tërë procesin vetëm për të fituar kohë.
“Sa i përket aktvendimit të Gjykatës Kushtetuese mendoj që ka qenë i pritshëm sepse ne si subjekt politik nëpërmjet deputetëve të AAK-së dhe kryetarit të AAK-së ne i kemi vu në dijeni se kanë shkelur rregulloren e Kuvendit sepse konstituimi i Kuvendit mund të jetë i plotfuqishëm me zgjedhjen e kryetarit, të gjithë nënkryetarëve, 5 nënkryetarëve, e në këtë rast kanë bërë shkelje të rregullores së Kuvendit dhe me të drejtë aktvendimi i Gjykatës Kushtetuese e ka konsideruar jo të konstituuar Kuvendin. Prandaj ne si subjekt politik në plotëni e mbështesim aktvendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe çdo njeri deputet apo subjekt politik duhet që ta respektojnë aktvendimin e Gjykatës Kushtetuese”, tha ai për Ekonomia Online.
Lekaj ka treguar një plan që sipas tij po pretendon ta bëjë Kurti pas zgjedhjeve.
“Mund të them që vetëm një njeri i krisur mund të mos respektojë aktvendimin e Gjykatës Kushtetuese sepse është ombrella e ligjshmërisë të Kosovës dhe në këtë drejtim unë pres dhe jam i prirë të besoj që çdo subjekt politik, çdo deputet i parlamentit të Kosovës ta respektojë aktvendimin e Kushtetutës. Mirëpo ne e kemi parë me vetëdije po e shkelin Kushtetutën, rregulloren e Kuvendit vetëm për të fituar kohë, sepse nuk i kanë numrat as për konstituimin e Kuvendit por nuk i kanë numrat edhe për krijimin e qeverisë. Dhe unë mendoj që kjo stërzgjatje, kjo kokëfortësi e Kurtit është mu që të përfundojnë zgjedhjet lokale dhe pas zgjedhjeve lokale vendi të shkojë në zgjedhje”, deklaroi Lekaj.
Zhagitjen e moskonsituim të Kuvendit ia ka hedhur fajin Vetëvendosjes duke thënë se qytetarët janë gërditur nga veprimet që po bëhen në Kuvend veç pse Kurti sipas tij ka zgjedhur egon e tij.
“Sa i përket konstituimit të Kuvendit, mendoj që nuk është i interesuar subjekti i LVV-së të bëjë konstituimin e Kuvendit dhe unë mendoj që shumë ma para do të shkojmë në zgjedhje se sa në ndonjë zgjidhje sepse nuk është vullneti i LVV-së për të marrë përgjegjësi dhe ju e shihni që ka 42 për qind, por kokëfortësia e tij fyerja e subjekteve politike që janë nga ish opozita mendoj që na ka pru në këtë gjendje. Sikur të kishte pasur ndonjë vizion tjetër, apo një bashkëpunim tjetër, apo një vlerësim për ndonjë subjekt politik sot ne i kishim konstituar Kuvendin dhe qeverinë. Por ja që kemi një kryeministër që dominon interesi vetanak, dominon ajo egoja e tij dhe sot e ka pru Kosovën në këtë gjendje që edhe qytetarët janë gërditur me veprimet në Kuvend”, tha Lekaj.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës të martën ka marrë vendim se seanca konstituive e Kuvendit, e nisur më 15 prill, nuk ka përfunduar dhe se ajo duhet të përfundojë brenda 12 ditëve nga hyrja në fuqi e aktgjykimit të saj të 30 shtatorit.
Në arsyetimin e saj, Gjykata theksoi se Kuvendi nuk është konstituuar sipas Kushtetutës dhe Rregullores, pasi ende nuk është zgjedhur nënkryetari nga radhët e komunitetit serb. Deri në hyrjen në fuqi të aktgjykimit, Gjykata ka vendosur që të vazhdojë masën e përkohshme që ndalon deputetët të ndërmarrin veprime për formimin e Qeverisë.
Ky vendim erdhi pas ankesës së Listës Serbe, e cila kundërshtoi shpalljen e Kuvendit si të konstituar pa zgjedhjen e nënkryetarit të komunitetit serb.
