Monedha shqiptare është zhvlerësuar me shpejtësi ditët e fundit përkundrejt euros, duke reflektuar efektet sezonale si dhe lëvizjet në tregjet ndërkombëtare.
Një euro këmbehej sot sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë me 132.95 lekë, 0.31 lekë më shumë se një ditë më parë. Monedha vendase është zhvlerësuar ndaj asaj europiane për shtatë ditë radhazi.
Aktorët e tregut pohojnë se mbarimi i efekteve sezonale, teksa emigrantët largohen dhe fluksi i turistëve fillon e bie dukshëm është një prej arsyeve kryesore që ka ndikuar në këtë tendencë. Edhe në fund të vitit të kaluar, leku filloi të dobësohej në këtë periudhë, teksa në fund të muajit gusht 2016 këmbehej me 137.3 lekë.
Një tjetër arsye lidhet me forcimin e euros në bursat ndërkombëtare.
Monedha e përbashkët është ngjitur ditët e fundit në kufirin e 1.2 dollarëve, niveli më i lartë që prej dhjetorit 2014, teksa investitorët u entuziazmuan teksa presidenti i bankës Qendrore Europiane u tërhoq nga diskutimet lidhur me monedhën e fortë dhe në horizont u shfaqën problemet fiskale të Shteteve të bashkuara të Amerikës.
Në të kundër, dollari në tregun vendas ka zbritur sërish, duke u këmbyer me 110.43 lekë, 0.92 lekë më pak se një ditë më parë. Ky është niveli më i ulët që nga tetori i vitit 2014.
Ekspertët e tregut presin që euro të vijojë të jetë e fortë, e nxitur edhe përfundimi i efekteve sezonale, por edhe nga fakti që në shtator fillon e gjallërohet aktiviteti tregtar, pas përfundimit të pushimeve.