Zëvendës-kryeprokurorja Sevdije Morina, ka mbajtur sot takimin e radhës me prokurorët e prokurorive Themelorë dhe të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, të cilët janë të caktuar si pikë kontakti në fushën e Bashkëpunimit Juridik Ndërkombëtar.
Gjatë këtij takimi, është diskutuar për sfidat dhe vështirësitë që shfaqen gjatë trajtimit të lëndëve në fushën e bashkëpunimit juridik ndërkombëtar, si dhe, në rrjedhën e bashkëpunimit në mes të institucioneve kompetente që merren me bashkëpunimin juridik ndërkombëtar në çështje penale, gjithmonë duke pretenduar në rritjen dhe efikasitetin e punës në Prokurori, që këto lëndë të trajtohen me kohë duke i ekzekutuar kërkesat që parashtrohen nga shtetet tjera.
Prokurorët kanë paraqitur objektivat e bashkëpunimit me Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit, Ministrinë e Drejtësisë, në kuadër të bashkëpunimit juridik ndërkombëtar me të gjitha shtetet tjera, kur parashtrohen kërkesa nga shtetet në drejtim të Republikës së Kosovës, apo edhe kur Kosova parashtron kërkesë tek shtetet tjera.
Një ndër synimet e këtij takimi ishte edhe llogaridhënia, ku kërkohet të raportohet pranë ZKPSH-së, për përgjegjësinë dhe për punën e të gjitha prokurorive, si dhe, nga pikat e kontaktit të bëhet raportimi për të gjitha kërkesat të cilat pranohen nga shtetet tjera, e deri te ekzekutimi dhe përfundimi i këtyre kërkesave që janë në fushën e bashkëpunimit juridik ndërkombëtar.
Po ashtu, ata janë shprehur se duhet të bëhet një menaxhim sa më i mirë brenda sistemit prokurorial, në mënyrë që sa më shpejtë të jepen informata, si dhe, të ndërmerren veprimet procedurale varësisht kërkesës që e parashtron shtetit i huaj kërkues.