Lëndët e gjykatave paralele transferohen në Gjykatën e Apelit në Nish

Prishtinë | 24 Dhj 2016 | 09:27 | Nga

Gjyqtarët dhe prokurorët serbë janë të gatshëm të integrohen në sistemin kosovar të drejtësisë dhe të fillojnë punën nga 10 janari 2017, por paraprakisht kanë kërkuar që të zgjidhet statusi i tyre në kuadër të sistemit serb të drejtësisë.

Në një tryezë të mbajtur në veri të Mitrovicës, organizuar nga ACDC-ja dhe Mileniumi DPI, në kuadër të projektit “Fuqizimi i reformave të gjyqësorit në veri të Kosovës”, që mbështetët nga USAID-i, disa nga ata kanë tërhequr vërejtjen se disa çështje që kanë të bëjnë me statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë në kuadër të gjyqësorit të Serbisë ende nuk janë zgjidhur, shkruan sot, gazeta Zëri.

Syla: Gati për të nisur puna  

Shyqyri Syla, kryetar i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, ka thënë se gjithçka është gati për të filluar me punën. Ai ka shtuar se fillimisht nuk do të pranohen të gjitha vendimet e gjykatave serbe.

“Ne jemi gati, ndërtesa është gati, ndarja e hapësirave ka përfunduar dhe besoj se edhe gjyqësori ka kryer punën e vet. Jemi të gatshëm të fillojmë më 10 janar 2017. Unë kam një udhëzim në të cilin shkruan se do të pranohen vendimet e gjykatave paralele deri më 19 prill 2013, e jo deri më 9 janar 2017, por që ato vendime do t’i nënshtrohen një komisioni që do t’i shqyrtojë”, ka thënë kryeprokurori i Mitrovicës, Shyqyri Syla.

Njëjtë sikurse kryeprokurori Syla mendon edhe gjyqtarja Jelena Krivokapiq, e cila punën në kuadër të sistemit serb të drejtësisë, siguron se fillimisht nuk do të pranohen të gjitha vendimet e gjykatës serbe, por siç tha ajo, “nga rasti në rast”.

“Sigurisht se vendimet e gjykatës serbe do të verifikohen, ato do t’u jepen gjyqtarëve të integruar në sistemin kosovar të drejtësisë që t’i shqyrtojnë”, ka thënë ajo, e cila ka shtuar se gjyqtarët serbë që duhet të integrohen dhe që do të fillojnë punën më 10 janar, janë duke pritur që të zgjidhet statusi i tyre në kuadër të sistemit serb të drejtësisë.

“Gjykata nuk mund të nisë me punën në kuadër të gjyqësorit të integruar, nëse gjyqtarët nuk do të jenë të kënaqur me zgjidhjen që u bëhet lidhur me statusin e tyre, nga ana e Serbisë. Ka dy vjet që gjyqtarët janë duke pritur që të punohet në ndryshimet e atij ligji dhe tani presin që të trajtohen në mënyrë korrekte. Por, për këtë ligj ka dy vjet që është duke u heshtur. Pakënaqësia mund ta shtyjë datën e fillimit të punës së gjyqësorit të integruar dhe kjo nuk do të ishte mirë”, ka thënë Krivokapiq.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme