Mesfushori Valon Behrami mund të detyrohet të tërhiqet nga futbolli aktiv pas lëndimit që e pësoi në ndeshjen e fundit të Udineses, që barazoi në udhëtim 1:1 ndaj Milanit, të martën mbrëma në “San Siro”.
Behrami, 33-vjeçar, në minutën e 75-të u nxor me barelë nga fusha pas lëndimit të rëndë që e pësoi në nyjën e këmbës së djathtë, përcjell sot Koha Ditore.
Mediumet italiane të mërkurën kanë raportuar se Behrami ka thyer nyjën e këmbës dhe përveçse do të mungojë në pjesën e mbetur të këtij edicioni, ai rrezikon të mbyllë edhe karrierën.
Tek Udinese janë të shqetësuar për Behramin, kurse rezultatet e para të shkallës së lëndimit pritet të dalin ditëve në vazhdim. Ai zuri keq nyjën e këmbës pasi u godit në fytyrë me top nga një bashkëlojtar, i cili tentoi të largonte topin nga zona e rreptësisë.
Udinese ende nuk ka dalë me njoftim për të qartësuar situatën e Behramit.
Trajneri i Udineses, Igor Tudor, pas ndeshjes ka pranuar se bëhet fjalë për një lëndim të rëndë të Behramit. Ai shpreson që mesfushori të kthehet sa më shpejt në fushë, pasi është i rëndësishëm për ekipin.