Ermir Lenjani ka barazuar rekordin për golin më të shpejtë të shënuar në histori të Superligës së Zvicrës. Lenjani të dielën realizoi pas vetëm dhjetë sekondave në barazimin 2:2 të Sionit me Luzernin.
Ndeshja i takoi xhiros së 28-të të elitës zvicerane. Rekordin për golin më të shpejtë Lenjani e ndan me Moussa Konaten, që në vitin 2015 me Sionin kishte shënuar pas dhjetë sekondave ndaj St. Gallenit, siç raporton gazeta “Blick”.
Lenjani pos golit të parë, asistoi edhe në golin e dytë të Sionit. Reprezentuesi i Shqipërisë është në formë të lartë. Në dy ndeshjet e fundit ka shënuar tre gola e ka asistuar një. Në total ai ka gjashtë gola e shtatë asistime në elitën zvicerane.
Ndërkohë Armando Sadiku ka realizuar një gol të bukur me gjuajtje nga distanca, ndërsa i ka siguruar Luganos një barazim 1:1 të dielën në udhëtim ndaj Baselit. Sadiku realizoi golin e epërsisë për Luganon në minutën e 67-të. Albian Ajeti asistoi golin e barazimit të Baselit.