Bota e futbollit është çuar në këmbë përsëri për Lionel Messin.
Ylli argjentinas u zgjodh futbollisti më i mirë i planetit, për herë të tetë në karrierë pasi e kishte bërë një gjë të tillë edhe në vitet 2009, 2010, 2011, 2012, 2015, 2019 e 2021.
36 vjeçari e fitoi Topin e Artë në gala mbrëmjen e mbajtur në Paris të Francës.
Gazetarët nga 100 vende të botës e votuan më së shumti futbollistin e Inter Miamit, i cili me këtë rast vazhdoi ta shkruajë historinë.
Futbollisti i lindur dhe i rritur në Rosario e ndihmoi Argjentinën ta fitonte Kupën e Botës pas një kohe të gjatë.
Dhe, ishte pikërisht Botërori i Katarit vendimtar që Messi ta fitojë për herë të tetë Topin e Artë.
Gjithashtu, ai e nisi mirë eksperiencën amerikane duke e fituar Kupën e Ligës me Inter Miamin.
Messi e pati një falënderim për të gjithë ata që e mbështetën gjatë karrierës.
“Është ndjenjë e mirë ta shijoj edhe një herë këtë moment. Po ashtu, që isha në gjendje ta fitoja Kupën e Botës dhe ta realizoja kështu ëndrrën time. Nuk mund ta imagjinoja se do ta kisha një karrierë të tillë dhe se do të arrija gjithçka që kam arritur. Nuk mund ta imagjinoja se do të isha pjesë e ekipit më të mirë në histori. Krejt Topat e Artë janë specialë për arsye të ndryshme”, u shpreh Messi pasi e mori çmimin.
Ai ka fituar gjithçka që është e mundshme në karrierë dhe të arriturat e tij do t’i përmendim në vazhdim.
Krahas 8 Topave të Artë, Messi e ka fituar 6 herë Këpucën e Artë, 1 herë Kupën e Botës, 1 herë Kupën e Amerikës, 1 herë Finalissiman, 4 herë Ligën e Kampionëve, 2 herë titullin e kampionit në Ligue 1, 1 herë Superkupën e Francës, 10 herë titullin e kampionit në La Liga, 7 herë trofeun Copa del Rey, 8 herë Superkupën e Spanjës, 3 herë Superkupën e Evropës dhe 3 herë Botërorin e Klubeve.
Messi pra është infinit. Arritjet e tij shihen si të paarritshme nga të tjerët.
Ai konsiderohet si lojtari më i mirë në histori të futbollit, shkruan “Gazeta Express”.