Leonardo DiCaprio i ka nënshkruar letër të hapur Presidentit të ri të Amerikës, Joe Biden duke e nxitur atë që ta konsiderojë si prioritet krizën klimatike.
Javën e kaluar, Presidenti Biden ktheu Shtetet e Bashkuara në Marrëveshjen e Parisit – një pakt ndërkombëtar për ta luftuar ndryshimin klimatik. Në vitin 2017, Donal Trump e kishte tërhequr Amerikën nga ajo marrëveshje.
“Tani është koha për ne që të ballafaqohemi me krizën klimatike”, ka shkruar DiCaprio në llogarinë e tij në rrjetin social Instagram. “Sot, unë bashkohem me udhëheqësit botërorë nga biznesi, qeveria, puna dhe lëvizja mjedisore, duke i bërë thirrje Presidentit @JoeBiden të jetë udhëheqësi i klimës që na duhet dhe që e kërkon shkenca,” shtoi ai.
Në këtë postim, DiCaprio e bashkëngjiti letrën e tij drejtuar presidentit Biden, e cila u nënshkrua nga figura të shquara të industrisë së showbizit, klimës dhe shkencës.
“Punët që na presin janë të mëdha: nevoja për ta trajtuar krizën shkatërruese globale të shëndetit dhe krizat ekonomike, dhe nevoja për të bashkuar amerikanët për ta bërë këtë, është urgjente”, shkruhej në këtë letër. “Ndërsa shërohemi nga Covid-19 dhe rindërtojmë ekonominë globale, duhet të veprojmë edhe ndaj ndryshimeve klimatike. Në fakt, këto nuk janë misione të ndara; ato janë një dhe e njëjta. Kjo është dekada më vendimtare në historinë njerëzore për t’u përballur me krizën e klimës. Ju mund të kujtoheni si ‘presidenti i klimës’ që e çoi njerëzimin larg shkatërrimit. Ju mund t’i transformoni sistemet e energjisë në botë nga lëndët djegëse fosile në energji të pastër, ndërsa gjithashtu krijoni një bollëk të vendeve të punës, duke zvogëluar ndotjen e dëmshme dhe duke trajtuar pabarazinë ekonomike, racore dhe shëndetësore në proces. Zgjedhja për të bërë udhëheqje të guximshme na lejon të rikthehemi më mirë dhe më fuqishëm, duke ecur përpara drejt një bote të re të cilën mund të krijojmë së bashku. Duke u ribashkuar me Marrëveshjen e Parisit në ditën e parë të detyrës si president, ju i keni kthyer Shtetet e Bashkuara në drejtimin e duhur. Por, siç e keni deklaruar edhe ju, kjo nuk është e mjaftueshme dhe ne duhet të bëjmë gjithçka që mundemi për ta luftuar krizën klimatike”, ka përfunduar DiCaprio.
Ylli i kinematografisë ka qenë i zëshëm gjatë gjithë karrierës së tij, për problemet lidhur me ndryshimet klimatike. Ai e themeloi një fondacion në vitin 1998 me qëllimin për “t’i mbrojtur vendet e fundit të egra të botës”
Në 2019, DiCaprio takoi aktivisten për ndryshimet klimatike, adoleshenten Greta Thunberg, duke ju drejtuar asaj si ‘udhëheqësja e kohës tonë’.
“Historia do na gjykoj për atë që bëjmë sot për të garantuar që gjeneratat e ardhshme të mund ta shijojnë të njëjtin planet të jetueshëm të cilin ne e kemi marrë të mirëqenë. Shpresoj që mesazhi i Gretës të jetë një thirrje zgjimi për udhëheqësit botërorë kudo, që koha për mosveprim ka mbaruar”, kishte deklaruar aktori i njohur hollywoodian.