Lione Messi vazhdon të jetë temë diskutimi në gjithë botën.
33-vjeçari, që nga dita e marte, kur kërkoi zyrtarisht largimin nga Barcelona, është pjesë e ballinave në të gjitha mediat nëpër botë.
Ende s’ka asgjë zyrtare, por media të ndryshe raportojnë për lëvizje të ndryshme, gjithmonë duke iu referuar burimeve të tyre të afërta me lojtarin apo edhe klubin.
Së fundmi bomba është lëshuar nga L’Equipe, që raporton se babai i lojtarit, Jorge Messi, ka pranuar një telefonatë nga Leonardo, drejtori sportiv i Paris Saint Germain.
Ai ka pyetur për situatën e 33-vjeçarit.
Sipas L’Equipe, Leonardo ka marrë menjëherë përgjigje negative, pasi Jorge, raportohet t’i ketë thënë se djali i tij e ka zgjedhur Manchester Cityn e Pep Guardiolës.
Në anën tjetër, te Barcelona janë duke insistuar që ta mbajnë Messin në ekip, dhe për këtë, sipas Marcas, kanë refuzuar të takohen me Leon pas kërkesës së këtij të fundit për nisjen e bisedimeve për t’ia lehtësuar largimin nga Camp Nou.
Marca raporton se Barça ia ka bërë me dije Messit se do të ketë bisedime vetëm për rinovimin e kontratës, në të kundërtën s’kanë për çfarë të takohen.
Gjërat janë duke u bërë keq e më keq ditë pas dite, megjithatë, Leo ka edhe një vit kontratë dhe mund të mbesë në Barcelonë, edhe përkundër gjithë kësaj tollovie të krijuar.