Marco Verratti, objektivi i madh i Barcelonës për sezonin e ardhshëm, nuk do të mund të paraqitet më 4 korrik, në fillim të trajnimit me PSG-në, si mjet presioni për të imponuar lëvizjen e tij drejt “Camp Nou”. Kështu shkruan prestigjiozja franceze, “L’Equipe”.
Verratti është i vendosur që të largohet nga PSG-ja për t’u bashkuar me klubin katalanas, ku mund të fitojë Ligën e Kampioneve. Për ta bërë këtë, ai është i përgatitur për të marrë të gjitha hapat e nevojshëm, duke konsideruar edhe mundësinë e mosmarrjes pjesë në ditën e parë të përgatitjeve parasezonale.
Verrati nuk do të jetë nën urdhrat e trajnerit Unai Emery, i cili i ka njoftuar lojtarët e tij se më 4 korrik nis stërvitja. Lojtari italian do të bëjë çdolloj përpjekjeje me menaxherët e PSG-së, në mënyrë që t’i bindë ata, sepse dëshira e tij është të shkojë te Barcelona.
Në ditët e ardhshme, lojtari dhe menaxheri i tij do të vendosin se çfarë strategjie do të përdorin për të arritur qëllimin. Tani për tani, Verratti është në pushime, por me mendje te negociatat, plotësisht i vetëdijshëm se duhet të bëjë një hap përpara në karrierë, se në Paris nuk mund të fitojë trofe me peshë.