Lëreni rehat Klan Kosovën, Batoni s’është më aty

Prishtinë | 15 Qer 2023 | 18:35 | Nga Lirim Mehmetaj

“E gjitha ka filluar për të gjetur diçka për Baton Haxhiun”, më tregoi dikush që e di nga afër se si nisi kontrollimi i dokumenteve për “biznesin” Klan Kosova.

Nuk po kërkonin për Klanin në veçanti, po kërkonin dhe vazhdojnë të kërkojnë kudo ku kanë mundësi për të gjetur diçka komprometuese për Batonin.

Nuk kanë gjetur gjë, por kanë menduar se kanë gjetur diçka prandaj edhe e kanë botuar tekstin, nga i cili ministria mori një vendim të kundërligjshëm për t’ia pezulluar licencën Klan Kosovës.

Teksti është i dobët, jo profesional, shumë i ngatërruar dhe pa adresë, por megjithatë është hasur një dromcë hapësirë dhe kishin futur diku edhe Batonin.

Tajmingu ishte ideal, sepse kishte edhe një video që po qarkullonte dhe në mendjen e tyre teksti bëhej edhe më i botueshëm.

“Një analist serb”, “një adresë serbe”, “një pasaportë serbe” që s’lidheshin me njëra tjetrën, por lidheshin me idenë e tyre për të sulmuar.

“Si detyrë e kanë, çdo mëngjes bëhet pyetja a gjetët gjë”, më tha një dashamirës që i njeh, i ka dëgjuar, i ka parë, por që e kanë irritur deri në atë masë saqë vendosi të më tregojë.

“Tash kanë filluar edhe për ty”, më tha.

“Po, ça kërkojnë, si?”.

“Gjithçka”, pohoi.

“Çdo gjë që mund të prodhojë diçka. Të kanë kontrolluar edhe trustin për të përllogaritur sa para merr, duke bërë krahasimin me sa para të dalin në trust. Kanë gjetur lidhje në banka për të kontrolluar edhe kontot bankare, kanë shkuar në Universitet për të gjetur indeksin, kanë kontrolluar në SEMS-s për të parë notat”, më tregoi.

Dhe kjo veç për mua. Për Batonin kishte një “vetting” që do ia merrte lakmi edhe projektligji për Vetting-un.

Kanë kërkuar mos ka marrë para nga ish-qeveritë, mos ka ndonjë tender, mos ka ndonjë dallavere me tatimin e biznesit, rrogat e punëtorëve… gjithçka.

S’po gjejnë gjë, por, po vazhdojnë, sepse “duhet të ketë diçka”.

Kjo kërkesë e pa adresë i ka çuar edhe deri te marrja e vendimit për Klan Kosovën, me idenë që njerëzit ndërlidhjen do ta bëjnë vetë më pas.

Fatkeqësisht, vendimi për pezullimin e licencës së operimit u bë duke keqcituar dhe keqgabuar edhe ligjin edhe nenin mbi të cilin u thirr ministria, por ky s’është problemi i vetëm.

Pasi i konsultova nga tre ekspertë, një prej tyre punonjës brenda vetë ministrisë që pezulloi lejen, kuptova se me asnjë ligj nuk ndalohet regjistrimi i një biznesi siç është regjistruar Klan Kosova.

Nëse shoshiten të gjitha ligjet, prapë është e pamundur të gjesh një biznes si Klani që i ndalohet veprimtaria.

Pra, s’ka bazë ligjore për ta pezullua certifikatën, sipas legjislacionit të ARBK-së, të cilën mund ta konsultoni edhe vetë KËTU.

Çfarë më bëri përshtypje ishte se në Kosovë kishte të regjistruara shumë biznese ruse (paramendojeni Kosova i ka vendosur sanksione Rusisë, por ia lejon bizneset), serbe, kineze etj.

Të gjitha këto biznese, siç mund të gjendet fare lehtë në ARBK, janë të regjistruara me dokumentacion që i kanë lëshuar strukturat paralele.

Siç e dini, në ARBK është regjistruar edhe Elektrosever, kompani shtetërore serbe.

Por, tek e fundit, edhe sikur të ishin dyshimet më të qëndrueshme të mundshme, përse të pezullohet licenca para se të bëhet hetimi?

Një punonjës brenda ministrisë më tregoi se në këso raste bëhet kallëzim penal, por kaq. Pritet më pas që procesi ta nxjerr të vërtetë dyshimin e bazuar apo jo.

Pse në këtë rast nuk priti ministria drejtësinë?

“Janë me dhjetëra raste në ARBK që kanë konteste e nuk iu ka pezullu certifikata”, më tregoi punonjësi i ministrisë i cili ma konfirmoi se arsyeja pse në këtë rast u veprua ndryshe ka të bëjë vetëm më faktin që bëhet fjalë për një medium dhe pikërisht për këtë medium.

Kjo nuk është metodë e re e sulmeve dhe as e paprovuar më parë. Mbyllja e mediave është recetë e përdorur nga shumë autokratë gjithandej botës.

Siç dihet, nga regjimi i Erdoganit në Turqi një nga viktimat e mëdha ishte konglomerati i mediave Dogan Yayin, që kontrollonte diku 50 për qind të tregut mediatik në Turqi, duke përfshirë këtu edhe gazetën më të lexuar të vendit Hurriyat dhe disa stacione televizive.

Mediat e grupit Dogan ishin sekulare dhe liberale dhe kritike. Qeveria në Turqi bëri identik të njëjtën gjë, çfarë po provon kjo në Kosovë.

E pati dënuar këtë grup mediash rreth 2.5 miliardë dollarë – që tejkalonte kapitalin e kompanisë – për evazion fiskal.

E dëmtuar në këtë formë, grupi u detyrua të shiste një pjesë të madhe të kompanisë së vet, duke përfshirë dy gazeta të mëdha dhe një program televiziv.

Ato u blen nga një biznesmen proqeveritar.

Në anën tjetër, në Rusi, televizioni i pavarur NTV i Vladimir Gusinsky-it fitoi reputacion si “dhimbja në qaftë e pushtetit”, qeveria e Putin-it ia lëshoi autoritetet e shtetit dhe e arrestuan për “jo proporcionalitet financiar”.

Gusinsky-it i ishte ofruar një marrëveshje “hiq dorë nga televizioni nëse do të jesh i lirë”.

Ai pranoi marrëveshjen, dhe ia shiti televizionin kompanisë gjigante proqeveritare Gazprom dhe iku nga vendi.

Raste të ngjashme ka edhe në Venezuelë, kur qeveria e Chavez-it lëshoi një hetim për “parregullsitë financiare” të pronarit të televizionit Globovision, Guillermo Zuloaga, duke e detyruar të ikën nga shteti.

Por me rastin e Klan Kosovës ka një dallim esencial nga shembujt më sipër, prandaj do jetë e pamundur të bllokohet në çfarëdo mënyre.

Klan Kosova nuk është veç televizion, por frymë.

Për ata që nuk e dinë.

Drejtori i Informacionit në RTV Dukagjini është ish gazetar në Klan Kosova.

Drejtori i Programacionit në Kanal 10 është ish gazetar në Klan Kosova.

Drejtori Kreativ dhe me sa di një tjetër drejtor i TËVË 1 janë ish-gazetarë të Klan Kosovës.

Kreyredaktori i Televizionit 7 është ish-gazetar i Klan Kosovës.

Unë vetë jam ish-gazetar i Klan Kosovës.

Numri më i madh i gazetarëve kryesorë në desket informative të televizioneve, por edhe mediave online në Kosovë, janë ish gazetarë të Klan Kosovës.

Është e pamundur ta mbyllni Klan Kosovën.

Fryma e krijuar për kaq shumë vite nuk mbytet dot me keqpërdorim ligjesh.

E për Batonin vazhdojeni kërkimin, do gjeni dëshpërimin tuaj.

(Autori është kryeredaktor i Albanian Post)

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme