Letër e hapur ambasadorit Kosnet

Prishtinë | 01 Shk 2019 | 22:28 | Nga Nazim Qehaja

I NDERUARI AMBASADOR PHILIP KOSNETT !

Këtë shkrim me foton Tuaj, po e hedh në Facebook, me shpresë se do T’ju bjerë në sy për ta lexuar, meqë është shkruar, për ju ndoshta nga një njeri i parëndësishëm, por për veten time shumë krenar. Krenar, për mëvetësinë e personaliteti tim në të mësuar, në punë prej Mjeku, Patologu dhe Profesori Universitar. Krenar për guximin individual dhe për respektin e veçantë që kisha dhe kam, për qëndrimin tim human, ndaj të gjitha grupeve etnike që jetuan në të kaluarën dhe jetojnë edhe sot në Kosovë, pa marrë parasysh pushtetin dhe politikën e kohës.

I nderuar!

Në këtë tokë të copëtuar e të përvuajtur me shekuj nga robërues të ndryshëm, shumica e popullit janë mirënjohës për ndihmën tuaj të pakontestueshme për çlirimin e tij. Megjithatë, edhe pse nuk e kanë guximin ta thonë publikisht, kështu siç e bëj unë, nuk pajtohen në asnjë mënyrë edhe me përkrahjen tuaj që u bëni njerëzve të inkriminuar, të korruptuar dhe tradhtarëve të tërësisë territoriale të vendit.

Lutemi, na lejoni dhe na ndihmoni që njerëzit nën hetime për krime humane dhe ekonomike t’i largojmë së bashku nga pushtetet lokale dhe qendrore. Duhet të jeni të bindur, se njerëzit e sotëm të pushtetit, nuk i do shumica e popullit të ndershëm. Heshtja e tyre, në asnjë mënyrë nuk do të thotë pajtim me politikën e tyre inkriminuese dhe korruptive, por është pasojë e frikës, të cilën e kanë trashëguar nga pushtetet e kaluara. Një pjesë e tyre heshtin sepse e kanë shitur dinjitetin nga varësia materiale dhe pozicionale dhe tjetra nga ekstremizmi fetar e orientimi armiqësor ndaj vendit. Shqiptarizmi, në përgjithësi, dhe Kosova, në veçanti, nuk mund të lejojë më ndarjen territoriale të vendit. Çdo aktivitet në këtë drejtim, pa marrë parasysh nga kush vjen, për ne është akt armiqësor. Kjo sepse, copëtimi i vendit, edhe kështu, vetvetiu nënkupton dobësim të unitetit dhe fuqisë kombëtare, varfërim ekonomik me të gjitha pasojat e tjera në procesin e reproduktimit kombëtar, deri në zhdukjen e plotë të tij në të ardhmen!

Andaj, ne mund të pajtohemi, vetëm nëse JU bëni presion mbi Serbinë dhe shtetet e tjera, që Kosovën ta njohin si shtet, me kufij të sotëm, të integruar si të gjithë në gjirin tuaj. Tek atëherë, mund të konsiderohet se qetësia dhe marrëveshja me Serbinë, për të gjitha çështjet, do të jetë e përjetshme dhe e plotë. Zgjidhje tjetër nuk ka. As qetësi. Edhe presioni i këtyre ditëve për heqjen e taksës në mallërat e Serbisë, nuk mund të jetë miqësor, kjo sepse, është një kërkesë me të cilën, nga ne kërkohet ta pranojmë varfërimin dhe papunësinë, për t’i forcuar ekonomikisht robëruesit dhe armiqtë tanë shekullor!

Nuk ka kaluar shumë kohë i nderuar Ambasador, kur presionet identike dhe kushtëzimet në emër të miqësisë, u bënë edhe me rastin e pranimit të Fusnotës, Gjykatës speciale dhe faljes së mijëra hektarëve tokë Maqedonisë dhe Malit të Zi. Atëherë u kërcnuam, se nëse nuk pranojmë, miqësinë me Ju po e rrezikojmë! Tani, si përfundim i këtij shkrimi tim personal, pa asnjë ndikim partiak a politik, po ju pyes Juve, nëse neser, ndarja e vendit do të kundërshtohet me forcë nga populli, e drejtë kjo, e pakontestueshme, a do ta konsideroni si akt antiamerikan, dhe a do të na sulmoni!

Përshëndetje miqësore!

Prishtinë, 02 shkurt 2019

Të ngjashme