Kryetari i organizatës “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku u ka dërguar një letër të hapur Kuvendit të Republikës së Kosovës, Komisionit parlamentar për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Mediume, si dhe taksapaguesve të Kosovës e publikut të RTK-së.
Shkak për këtë letër është ligji për RTK-në, ku ai ndër tjerash përmend se ka shumë fshatra ku nuk ka sinjal të televizioneve, e as të RTK-së.
Në pjesën që Kaçaniku ka drejtuar për Kryetarin e Komisionit Parlamentar, Nait Hasani, përmend edhe kushtet e rënda në të cilat jetojnë familjet kosovare.
“Më lejoni të ju rikujtoj se 30% e qytetarëve dhe familjeve konsumatore taksapaguese – gjenerues kryesor të Buxhetit të Republikës së Kosovës janë të varfër. Prej tyre 1/3-a jetojnë në varfëri të skajshme. Këto familje jetojnë me ndihma sociale ( nëse i gëzojnë ato ) prej 65 €. Shumica nuk kanë aparate televizive e, po t’i kishin me kënaqësinë më të madhe “ do ta mbysnin kohën “ me ofertën e Skemës programore të RTK-së dhe të radio televizioneve tjera. Nëse ka TV aparat ai mund të jetë i falur dhe i amortizuar. Me këtë rast parapagimi do t’ju kushtonte rreth 4% nga ndihma sociale, ose: 10 kg. miell, afro 20 bukë, 3 l. vaj ushqimi”, shkruan Kaçaniku.
Ai tutje flet për atë se disa raste bëhet parapagimi, edhe pse nuk kanë aparate televizive.
“Rreth 160.000 biznese të regjistruara me po aq ose më shumë njehsorë të energjisë elektrike do ta paguajnë parapagimin ani se nuk kanë aparate televizive ?! Janë me mija markete e depo, objekte të tyre ndihmëse me pajisje e njehsorë elektrik – por pa televizor e me obligim parapagimi. Të regjistruara janë mbi 8.000 OJQ. Prej tyre si më aktive llogariten rreth 5%, ose afro 400 sish. Ato kanë njehsorë të energjisë elektrike por shumica prej tyre nuk kanë televizorë”, nënvizon ai në këtë letër.
Kaçaniku ka llogaritur se janë rreth 460.000 njehsorë të energjisë elektrike, rreth 45% e pronarëve të njehsorëve të energjisë elektrike do të detyrohen, do të paguajnë atë që nuk ju takon ligjërisht.
“Komisioni parlamentar nuk e gëzon këtë të drejtë, nuk ka mandat që të na obligojë ta paguajmë produktin të cilin nuk e blejmë as nuk e konsumojmë !
Po ndodh, për fat të keq, që RTK-ja mos ta ketë as përfaqësuesin e qytetarit konsumator të skemës së saj programore, të ofertës së saj që ia bënë tregut shikues, spektator, publik, audiencë…në komisionet, këshillat, bordet…gjegjëse. Komisioni parlamentar akoma nuk është interesuar për këtë shkelje të të drejtave tona ?!”, shkruan ai tutje në letër ndër tjerash.
Ai ka bërë të ditur se organizata Konsumatori është ofruar me ide dhe këshilla te komisioni parlamentar, qeveria dhe kuvendi.
“Është mirë që Komisioni parlamentar i ka konsultuar përvojat nga Rajoni, në veçanti nënvizohen përvojat e Sllovenisë. Por, kemi përvoja të mira edhe më afër, kemi edhe përvoja “ vendore “. Nga këto përvoja vendore do të ishte mirë të mësojmë se në ç’mënyrë të prodhojmë sa më shumë program, program sa më cilësor, sa më edukativ…dhe sa më lirë, me sa më pak pjesëmarrës në prodhimin e tij”, përfundon ai.