Letër Festinës

Prishtinë | 02 Qer 2017 | 13:49 | Nga Behgjet Pacolli

Letër Festinës, …në vend të një urimi të thjeshtë për një qershorin si festë e fëmijëve të Kosovës dhe mbarë botës.

E dashur Festina,

Dje ishte 1 qershori, dita e fëmijëve dhe unë nuk isha me fëmijët e mi. Ata janë pak a shumë të vegjël sa ti, apo shumë më të vegjël se ti.

Dhe ata kanë nevojë për mua. Unë doja të të bëja të lumtur ty që më nderove me ftesën tënde. Doja të bëja të lumtur dhe shokët dhe shoqet e tua të Asamblesë, duke ardhur këtu. Bile më vjen keq që më keni ftuar pas Ambasadorit britanik. Do doja të më ftonit më parë.

Në fakt, unë jam kthyer në Kosovë, pse dua të bëj të lumtur gjithë fëmijët e Kosovës, prindërit e tyre.

Dhe për këtë arsye jam këtu gjithë vitin, jo vetëm në qershor. Jam kthyer në Kosovë para shumë vitesh. Jam kthyer pse e dua Kosovën. Në Zvicër kam familjen. Si mund ta kuptoni, dhe atje në familje kam shumë shumë dashuri.

Për fat të mirë nuk më mungojnë kushtet. Këtu ku jetoni ju, në Gjilanin e bukur, unë kam kaluar fëmijërinë. Kam kaluar rininë. Kur vij këtu, më kujtohet fëmijëria, më kujtohet rinia.

Unë kam pasur një fëmijëri të vështirë, por kurrë nuk u dorëzova. Isha nxënësi më i mirë i shkollës, dhe sot njeriu që i bie më shumë telefonit tim, është mësuesi im. Për shkak të vështirësive kur mbusha 17 vjeç, mendova se duhet të ikja në perëndim, të mësoja dhe punoja atje.

Jam kthyer dhjetë vjet më parë, ta ndryshoj Kosovën, t’ i jap një të ardhme rinisë dhe fëmijëve, t’ju jap juve një të ardhme. Dhe e dini çfarë? Fëmijët e mi, vinë shpesh në Kosovë dhe nuk duan të largohen.

Po ju rrëfej një sekret: Dua që fëmijët e mi të jetojnë këtu dhe të rriten bashkë me ju. Prandaj dua që atdheu jonë të mos shkatërrohet, por të begatohet. Nuk e di nëse keni dëgjuar për librin Konti Montekristos. Heroi i atij libri, Edmond Dantesi u bë viktimë e disa njerëzve që e donin në burg. Pas burgut, ai u hakmor me sukses ndaj atyre që e çuan mbrapa hekurave.

Historia ime është bash e kundërta. Veç krahasojini! Unë ika nga Kosova, pse dikush nga shokët e universitetit më tha në sy, se isha i varfër.

 

Të ngjashme