Letra e sekretarit amerikan Antony Blinkeni që iu dërgua Kryeministrit tonë është një flakareshë fort i ashpër ndaj mendësisë së izolimit që po ndjekin institucionet tona.
Institucionet tona vërtet janë në një mjegull të tmerrshëm politike e mendore dhe s’ kanë kurrfarë busulle për dalje.
Ato mbase mund ta dinë çka s’ duan por kurrë s’ kanë treguar çka duan.
Letra e Blinkenit vërtet duhet të lexohet qartë, me sy të hapur e jo të kllapitur, pikë së pari nga udhëheqës mendjeshkretë që sillen si donkishotë që duan t’ i ndreqin mbrapshtitë e botës në lojërat politike globale.
Kurse sot – hendeku mes Kosovës dhe Amerikës e vendeve kryesore perëndimore – u thellua.
Të besosh se po i shërben Kosovës dhe të ardhmes së saj duke krijuar raporte negative me Amerikën e
me vendet tjera perëndimore vërtet është anomali e pastër politike dhe një mendësi fataliste.
Duhet ta themi qartë dhe me zë të lartë: duke i përbuzë aleatët tanë, ne përbuzim historinë tonë të re dhe vendosim vetëshkatërrimin.
Dhe kambanat për këtë nuk bien për ata që kanë veshë, ato bien për ne dhe bien furishëm e pandërprerë.
Amerika sot komunikon me letra me udhëheqësit tanë dhe këta që një vit kukurisin e s’ janë të zotët të realizojnë një takim në Shtëpinë e Bardhë që për ne është e bardhë e zemërbardhë.
Prandaj, s’ ka goditje ma të madhe për vendin tonë se sa mbyllja e dyerve të Shtëpisë së Bardhë, të atyre dyerve që i hapi me shumë mençuri, mendjendrituri Rugova.