Letra e drejtuesit të seancës konstituive arriti në presidencë, Kupina: Ekipi ligjor po e analizon

Prishtinë | 16 Pri 2025 | 13:29 | Nga Ekonomia Online

Letra e drejtuesit të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, Avni Dehari, ka arritur në presidencë.

Lajmin e konfirmoi për Ekonomia Online, Bekim Kupina, këshilltar për Media i presidentes Osmani.

“Letra sapo ka ardhur në Presidencë dhe ekipi ligjor i Presidencës është duke e analizuar, për t’i propozuar Presidentes hapat e mëtejmë”, tha Kupina.

Letra e plotë:

“E nderuara Shkelqësia juaj, Znj. Vjosa Osmani Sadriu, Presidente e Republikës së Kosovës,

Ju drejtohem në cilësinë e kryesuesit të seancës konstituive të Kuvendit të Republikes Kosovës për legjislaturën e IX-të. Në përputhje me Rregulloren e Kuvendit, rendi i ditës për seancën e djeshme konstituive ishte:

– Formimi i Komisionit të Përkohshëm për Verifikimin e Kuorumit dhe të Mandateve,

– Betimi i deputetëve,

-Zgjedhja e Kryetarit të Kuvendit,

– Zgjedhja e nënkryetarëve të Kuvendit.

Lidhur me pikën e parë, për njoftimin tuaj, Raporti i Komisionit për verifikimin e kuorumit dhe mandateve, u votua me shumicë të votave në Komision, mirëpo si asnjëherë më parë, ky Raport, nuk e mori mbështetjen e shumicës në Kuvendin Republikës së Kosovës. Rrjedhimisht, mandatet nuk u verifikuan dhe betimi i deputetëve nuk procedoi.

Në pamundësi të votimit të raportit për verifikimin e mandateve, në cilësinë e Kryesuesit e kam ndërprerë seancën konstituive. Në këto rrethana, të një situate të paprecedent, unë ju drejtohem juve si Presidente e Republikës për sugjerime për opsionet e mundshme përpara”.

Të ngjashme