Letra e kryetarit të Vetëvendosjes për të mbështetur lirimin me kusht të deputetit Rexhep Selimi është vetëm njëra nga tri gjithsej sa mbrojtja ia ka bashkangjitur kërkesës.
Por dërgimi i letrave të tilla, sipas njërit prej avokatëve të akredituar nga Specialja, mund të ketë efekt vetëm në rast se ka edhe rrethana të tjera
Prishtinë, 16 dhjetor – Në mbështetje të deputetit të partisë së tij ka dalë kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti. Përmes një letre dërguar gjyqtarit të procedurës paraprake, Kurti ka renditur arsyet pse duhet të konfirmohet kërkesa e mbrojtjes së Rexhep Selimit.
Në letrën që mban datën 1 dhjetor, kryetari i LVV-së ka thënë se pretendimi se Selimi mund të ndikojë në administrimin e drejtësisë është i pabazuar.
“Rexhep Selimi si qytetar dhe shtetas i Kosovës ka treguar respektin maksimal dhe ka vepruar gjithmonë në përputhje me ligjet dhe rregullat e Republikës së Kosovës. Çdo pretendim i ngritur lidhur me faktin që ai mund të paraqesë rrezik të ikjes bie ndesh me karakterin e Rexhepit dhe përvojën tonë”, thuhet ndër tjerash në letrën e Kurtit.
Por kjo letër si mbështetje e kërkesës së mbrojtjes, nuk pritet të ketë ndonjë efekt në vendimin e gjyqtarit.
Një nga avokatët e akredituar nga Specialja, Taulant Hodaj, thotë se në dërgimin e letrave të tilla duhet të kihet kujdes dhe të mos bëhet pa pasur një kërkesë nga avokatët e personit të akuzuar.
“Nuk besoj që këto deklarata kanë me qenë kruciale në lidhje me vendimmarrjen e tij në rastin konkret. Rezultati i tyre sipas bindjes sime e praktikës është shumë minimal që t`ia ndryshojë gjyqtarit mendjen nëse nuk ka kushte të tjera që gjyqtari e vlerëson si rrethana që duhet të merren parasysh. Dhe kjo nuk do të duhej të bëhej pa një kërkesë eksplicite nga avokatët, sepse mund të konsiderohej si ndërhyrje indirekte, si presion, por me kërkesë të avokatëve dhe si garanci shtesë mund të shfrytëzohet”, ka thënë Hodaj.
Lidhur me letrën në fjalë, KOHA ka provuar të marrë një qëndrim edhe nga Dhomat e Specializuara.
Përmes një përgjigjeje me shkrim, nga ky institucion kanë thënë se vendimi për kërkesën “i takon gjyqtarit të procedurës paraprake”.
“Letra së cilës ju i referoheni u përfshi si Aneks i kërkesës nga avokati mbrojtës i z. Selimit, drejtuar gjyqtarit të procedurës paraprake, duke kërkuar lirim të përkohshëm. I takon gjyqtarit të procedurës paraprake që të vendosë për aplikimin”, thuhet në përgjigjen e Dhomave të Specializuara të Kosovës.
E letra të tilla mbështetëse në kërkesat për lirim për të akuzuarit nga Specialja nuk do të bëjnë nga Qeveria e Kosovës.
Drejtoresha e Zyrës për Komunikim në Qeveri, Antigona Baxhaku, në një përgjigje me KOHËN, ka thënë se Zyra e Kryeministrit respekton ndarjen e pushteteve dhe nuk ndërhyn në punën e institucioneve të drejtësisë.
“Zyra e Kryeministrit të Republikës së Kosovës respekton ndarjen e pushteteve dhe nuk ndërhyn në punën e institucioneve të drejtësisë”.
Lidhur me mundësinë që këtë ta bëjnë nga Presidenca, televizioni ka pyetur edhe në zyrën e Vjosa Osmanit, por që përgjigjet kanë munguar këtë të mërkurë.
Mbrojtja e deputetit të Vetëvendosjes, Rexhep Selimi, në kërkesën për lirim me kusht, përveç letrës së Selimit, ka bashkangjitur edhe dy letra të tjera mbështetëse, njëra prej të cilave është konfidenciale.