Pak më pak se 18 muaj, 100 milionë euro të fituara dhe vetëm 7 ndeshje të zhvilluara shkaku i një lëndimi brutal dhe një tjetri që e pasoi atë.
Aventura e Neymar Junior në Al Hilal u mbyll pak orë më pak me një vendim të përbashkët për ta shkëputur kontratën dhe sulmuesi brazilian ka dashur t’i përshëndesë tifozët sauditë përmes një letre, të cilën e postoi në rrjetet sociale, përcjell “Gazeta Express”.
“Faleminderit të gjithëve. Kam dhënë gjithçka për të luajtur dhe kam dashur t’i shijoja momentet më të mira në fushë së bashku. Sauditëve, faleminderit që ma dhatë mua dhe familjes sime një shtëpi të re dhe eksperienca të reja. Tash i njoh sauditët me të vërtetë dhe do të kem miq atje gjatë tërë jetës. Gjithmonë e kam ndier dashurinë tuaj dhe pasionin tuaj për këtë lojë. Do ta ndjek rrugëtimin tuaj si klub dhe si shtet drejt Botërorit 2034. E ardhmja do të jetë e jashtëzakonshme, do të ndodhin gjëra speciale. Dhe, do t’ju mbështes gjithmonë”, shkroi sulmuesi brazilian.
Neymar u rikthye në klubin e fëmijërisë, Santos, me të cilin do të nënshkruajë kontratë shumë shpejt.
Ish-futbollisti i Barcelonës dhe i Paris Saint-Germainit synon ta rikthejë formën optimale dhe synim i tij është që të luajë me Brazilin në Kupën e Botës 2026, e cila do të mbahet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada dhe Meksikë.