Avokati Dastid Pallaska ka kritikuar qeverinë e Kosovës, në krye me Albin Kurtin për botimin e opinionit ligjor lidhur me ‘Implikimet kushtetuese të shkëmbimit të letrave të datës 19 prill 2013’, ndërmjet kryeministrit të atëhershëm, Hashim Thaçit dhe sekretarit të NATO-s, pa e bërë publik emrin e autorit.
Pallaska ka shkruar në Facebook se botimi i opinionit ligjor pa autor, ka ndodhur nga zyra e kryeministrit, që është me notën më të lartë të studimeve universitare në histori të Kosovës dhe rajonit.
Avokati thotë se me gjasë qeveria nuk e ka gjetur ndonjë jurist që do të nënshkruante atë që e ka quajtur ‘ferman qesharak’ ku referencat ligjore janë hedhur si të ishin kocka zari në tavolinë bixhozi.
“Ka edhe mundësi që nuk kanë gjetur asnjë jurist që e nënshkruan një ferman qesharak të urdhëruar nga shefi ku referencat ligjore janë hedhur si të ishin kocka zari në tavolinë bixhozi. Kjo është pikërisht kthesa që e shëndëron tragjedinë tonë në komedi”, thotë ai.